Basha në Berlin, Balla: Të mos lobojë kundër integrimit

Taulant Balla

Nesër Komisioni Europian do të prezantojë progres raportin, që sipas të gjitha gjasave do të rekomandojë hapjen e negociatave me BE. Lidhur me këtë, kryetari i grupit të PS, Taulant Balla akuzon Lulzim Bashën dhe opozitën se duan ta bllokojnë procesin.

Lideri i PD-së ndodhet në një vizitë në Gjermani, ndërsa Balla i bëri thirrje që të mos lobojë kundër hapjes së negociatave.

”Sjellja e patolerueshme e PD ka të bëjë me kundërvënien kundër Reformës në Drejtësi dhe hapjes së negociatave. Shpresoj që Basha të mos investohet me nje lobim kundër hapjes së negociatave edhe me prezencën e fundit në Berlin. Si çdo shqiptar që e do vendin e vet, Basha duhet të lobojë pro hapjes së negociatave, pasi nuk është fitore e PS, por një kulmim i një procesi historik ku kanë kontribuar të gjitha qeveritë. Prej nesër fillon një proces i ri për lobingun pozitiv që Shqipëria duhet të bëjë në vendet anëtare, pasi kalon në vendet anëtare dhe janë ata që vendosin”,-thotë Balla.