Avokati i ish-kryeprokurorit: S’ka procedim penal ndaj Llallës

Avokati i ish-kryeprokurorit, Adriatik Llalla, ka deklaruar se nuk ka marrë asnjë informacion që ndaj klientit të tij të ketë procedim penal. Sokol Hazizaj deklaron se i është drejtuar Prokurorisë se Durrësit me memo dhe nuk i është vënë në dispozicion asnjë dokument. Hazizaj shton se edhe vetë personit të proceduar, pra Adriatik Llallës, nuk i është komunikuar asnjë vendim procedimi.

Prokuroria e Durrësit ka deklaruar se ka regjistruar procedim penal ndaj ish-kryeprokurorit për 4 akuza ”Pastrimit të produkteve të veprës penale” dhe të ”Shpërdorimit të detyrës”, ”Mos deklarimi i të të ardhurave”, ”Mosdeklarimit të shumave të të hollave ne kufi”.

”Më datë 15.03.2018 Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës se Parë Durrës ka regjistruar procedimin penal nr 447 të regjistruar në ngarkim të shtetasit Adriatik Llalla për veprat penale të “Refuzimit për deklarim, mosdeklarimit, fshehjes ose deklarimi i rremë i pasurise, interesave private të zgjedhur dhe nënpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për për deklarim”, “Mosdeklarimit të shumave të të hollave ne kufi”, “Pastrimit të produkteve të veprës penale” dhe të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga nenet 257/a, 179/a, 287 dhe 248 të Kodit Penal”, është thënë nga Prokuroria e Durrësit.

Hazizaj tha se do të jetë pranishëm si përfaqësuesi i Llallës edhe në seancën e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i cili do të shyrtojë ankimimin e komisionerit publik për ndërprerjen e vettingut për ish-kryeprokurorin.