A është e mundur të shkurtohen orët e punës

Nga Gëzim Hoxha

Shpesh njerëzit ankohen se nuk iu del koha. Ata ankohen se koha fluturon dhe atyre iu ngelen shumë gjëra pa bërë. Burrave nuk iu del koha të merren me veten aq sa duhet, s’kanë kohë për të takuar miqtë, prindërit, s’kanë kohë të shohin se si rriten fëmijët, s’kanë kohë të shohin brenda vetes e të zbulojnë atë thesar që ka çdo njëri prej nesh. Ndonjë kthehet pas pune dhe jepet pas pijes apo pas kumarit, me qëllim që të zbrazet. Jo gjithmonë ia dalin, ata kthehen në shtëpi dhe i zbrazen gruas dhe fëmijëve.

Akoma më keq është për gratë. Ato lodhen dy fish. Kush punon diku, kthehet dhe e presin edhe punët e shtëpisë. E presin enët, gjella, pastrimi dhe maratimi i shtëpisë. Një shoqja ime më ankohej një ditë se kur kthehej nga puna në orën pesë, nuk kish kohë për asgjë. Ajo thotë se nuk e lë vajza e vogël, e cila mezi pret sa ajo të kthehet dhe të dalë shëtitje.

Fjala është për ata burra e gra që janë në punë, për ata që punojnë të paktën tetë orë në ditë, se ka gra që punojnë edhe nga dhjetë e dymbëdhjetë orë në ditë. Fjala është për ata që i gëzohen faktit që në fillim të muajit firmosin diku, për ata që marrin një pagë me të cilën kalojnë e shumta 20 ditët e para të muajit, për ata që thonë se dalin gjysëm dite nga shtëpia për tu mbyllur diku tjetër për tetë orë rresht.

Një tjetër grua më tha një ditë se punonte se duhej, por do të kalonte me dëshirën më të madhe kohën në shtëpi për të krijuar dhe për tu marrë me veten. Po ja që asaj i duhet të punoj deri në orën dhjetë të darkës në dyqanin e saj ku shet artikuj të ndryshëm dhe bën fotokopje në masën më të madhe për mësuesit dhe nxënësit.

Gruaja e parë do të donte të punonte gjashtë orë e jo tetë ndërsa e dytë e cila ka biznesin e saj do të donte të mos punonte fare. Sikur të kthehesha në orën dy do të qe më ndryshe, – thotë shoqja ime. – Do të kisha më shumë kohë për tu marrë me shtëpinë dhe me fëmijët. Më pas ajo tregon se detyrohet që herë t’i lerë fëmijët tek puna e burrit, i cili ka një punishte të vogël dhe herë detyrohet që ta marrë me vete. Unë vetë e lë vajzën tek një kopsht privat që ndodhet afër shkollës pasi druaj se mos i kanoset ndonjë gjë asaj. Koha që jetojmë është shumë e pasigurt për një fëmijë dhe ata kërcënohen pikë së pari të rriten para kohe.

Për gruan e dytë as ia vlen të flitet, ajo është e pashpresë sepse ajo do që të mos punojë fare. Ajo është artiste dhe i pëlqen të struket tek vetja, të gjejë atë thesarin e saj e të krijojë. Dhe mua më duket se ajo i përket një realiteti i cili do të bëhet i prekshëm pas kushedi sa shekujsh. Po le të kthehemi tek shoqja ime. Ajo do të punojë jo tetë po gjashtë orë. Por si çdo grua tjetër edhe ajo më 8 Mars festoi në një lokal. Ato iu gëzuan faktit që dolën shpejt nga puna atë ditë, hëngrën, pine, kërcyen e dëfryen dhe në fund postuan nëpër rrjetet sociale fotot e bëra gjatë festës. Që të nesërmen ajo ia nisi sërish nga ankesat. Kur unë i thashë se ato e kishin humbur mundësinë për të kërkuar një të drejtë, ajo mu përgjigj se nuk e përfillte kush.

Dhe atë ditë me të vërtet që gratë harbohen fare. Një ditë është dhe u lejohet, mund të thotë dikush, le të bëjnë ç’të duan. Po a e imagjinoni se çdo të ndodhte sikur disa dhjetra gra në vend që të zhvisheshin për qejf në ndonjë klub, të zhvisheshin në ndonjë shesh në shenjë proteste? Me siguri rezultati i këtij harbimi do të qe i njëjtë dhe ndoshta kënaqësia edhe më e madhe.

Po flas për gratë se e kanë të paktën një ditë ku mund të kërkojnë diçka, se për burrat as që bëhet fjalë të kërkojnë 6 orarshin. Sindikatat që duhet të kërkojnë ndonjë gjë flejnë gjumë. Ato figurojnë vetëm nëpër regjistra që tregojnë vetëm që kemi pluralizëm dhe kaq.

Dhe lind pyetja a është e mundur një ditë më e shkurtër pune? A ka kuptim të kërkosh 6 orë pune? Nëse je biznesmen kjo gjë do të qe fundi i botës për ty. Nëse je qeveritar përsëri do të qe pa kuptim, pasi instancave që do të ushtronin kontroll do t’iu hapej goxha punë. Vetëm nëse je grua a burrë që punon dhe kur vete ora 2 e të merr uria e nuk të rrihet më në punë e mezi pret sa të ikësh në shtëpi e t’ia fusësh një sy gjum, vetëm atherë ka kuptim.

Ka kuptim që ç’ke me të, të kërkosh 6 orë punë. Nga ana sociale njerëzit do të bëheshin më të mirë. Do kishin më shumë kohë të kalonin me veten dhe me njëri – tjetrin. Fëmijët nuk do të endeshin rrugëve dhe burrat e gratë do të prindëronin më mirë. Tek e fundit duke punuar më pak do t’i jepej fund robotizimit të njeriut.

Nga ana ekonomike përsëri do të qe më mirë. Orët e punës në fakt duke u shkurtuar do të zgjateshin sepse proceset teknologjike dhe ciklet e prodhimit e të shërbimit nuk mund të lihen në mes të rrugës. Kështu ato nga 8 do të bëheshin 12 orë. Kjo do të bënte të mundur edhe hapjen e mijëra vendeve të reja pune. Të gjithë që do të kishin dëshirë të punonin do të mund ta gjenin një punë. Dhe duke vazhduar në këtë logjikë edhe prodhimi do të rritej pasi orët e punës do të shtoheshin.

Jo vetëm kaq po edhe rendimenti në punë do të rritej. Njerëzit pesë orë do të punonin më me qejf se sa shtatë orë. Por ka edhe diçka tjetër që e favorizon 6 orarshin e punës. Ky është robotizimi i ekonomisë. Dhe ngado që ta kthesh çdo gjë thërret për shkurtimin e orëve të gjata të punës. A nuk ankohet qeveria se një pjesë e mirë e buxhetit shkon si ndihmë ekonomike për të papunët. Ja pra një mundësi e mirë për të ulur papunësinë. Kjo gjë do të luftonte edhe varfërinë pasi duke pasur më shumë vende pune do të ketë edhe më pak probleme sociale që shkaktohen nga kjo plagë e shoqërisë.

Dhe për ta mbyllur, nëse Suedia e ka kuptuar që njerëzit nuk mund të punojnë më 8 orë në ditë, pse të mos e kuptojmë edhe ne. Nëse ata e bëjnë këtë pse të mos e bëjmë edhe ne. Dhe nëse nuk mund të ndodhë për të gjithë ky shkurtim orësh pune le të bëhet si fillim për gratë që të kenë më shumë kohë për tu marrë me veten, me shtëpinë dhe kryesorja me fëmijët.