Skënderbeu me një dorë te titulli, fundos Kamzën e Ahmataj

Skënderbeu vijon rrugëtimin drejt titullit kampion. Ekipi i Ilir Dajës ka fituar 3-2 ndeshjen e javës së 29-të ndaj Kamzës, duke ruajtur distancën në 12 pikë ndaj Kukësit. Skuadra korçare e nis mjaft mirë ndeshjen duke kaluar në avantazh që në minuan e 16-të. Muzaka krosin nga goditja e këndit dhe topi merr një trajektore të çuditshme për shkak të erës duke mashtruar portierin, i cili nuk arrin të largojë sferën. Vendasit nuk ndalen me kaq, pasi në minutën e 25-të Xhejms fiton një penallti pas një kontakti që pati me Zguron brenda zonës. Nga pika e bardhë shkon Ali Soue, i cili nuk ndalet nga portieri Avdyli edhe pse ky i fundi arriti që të kuptonte krahun e goditjes. Reagimi i Kamzës është i menjëhershëm, teksa në minutën e 35-të, Rezi rihap ndeshjen.

Pas një pasimi të bukur në zonë, mesfushori godet mjaft mirë me të djathtën. Miqtë nuk ndalen këtu, pasi në minutën e fundit të pjesës së parë, do të realizonin edhe golin e barazimit. Zguro ekzekuton në mënyrë mjeshtërore një goditje dënimi nga një distancë prej 20 metrash, duke mposhtur portierin Teqja, i cili nuk arrin që të ndalë goditjen e tij në trekëndësh. Fraksioni i dytë është vazhdim i spektaklit që dhuruan 45 minutat e para. Ekipi i Ilir Dajës futet në fushë në kërkim të golit të avantazhit, teksa nuk do të vononte shumë që ta gjente. Xhejms dhuron spektakël me disa veprime individuale në portën e Kamzës, ndërkohë që në minutën e 48-të edhe pse është shtatshkurtër, ai e dërgon topin në rrjetë pas një goditje me kokë nga brenda zonës.

Reagimi i miqve është i menjëhershëm, me Fukuin i cili do të vendoste në provë portierin Teqja në minutën e 63-të me një goditje në hyrje të zonës. Në fundin e ndeshjes Ekipi i Ahmataj këmbëngul për të gjetur golin e barazimit, ndërkohë që skuadra korçare luan me kundërsulm, teksa Soue shpërdoroi një mundësi të mirë shënimi. Kjo ishte disfata e tretë radhazi në kampionat për Kamzën që tashmë e sheh veten shumë pran zonës së ftohtë, me vetëm një pikë më shumë se Vllaznia, dhe 4 më shumë se Teuta e vendit të parafundit. /Koha Jonë/