Vrasja e 28-vjeçarit për hakmarrje, familjarët e Gjuzit: S’ka lidhje

Për vrasjen e Mario Majollarit, Policia e Tiranës ka marrë në pyetje familjarët e Kastriot Gjuzit, autorit të dyshuar të atentatit. Në Polici familjarët e Gjuzit kanë thënë se nuk e kishin dëgjuar ndonjëherë Kastriotin të fliste për hakmarrjen ndaj familjes Majollari.

Familjarët janë shprehur se e kanë takuar Kastriot Gjuzin mesditën e së martës dhe në mbrëmje ai nuk ka shkuar në shtëpi. Gjithashtu të afërmit kanë thënë në Polici se Kastrioti e ka telefonin e fikur dhe nuk ka kontaktuar me asnjërin prej tyre, por theksojnë se 40-vjeçari nuk ka lidhje me vrasjen e Mario Majollarit.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se Kastriot Gjuzi është larguar me këmbë pasi vrau 28-vjeçarin dhe më pas ka marrë një makinë ngjyrë gri dhe ka ikur në drejtim të Tufinës. Në banesën e tij në Tufinë Policia ka gjetur një makinë e cila kishte pak minuta që ishte fikur, pasi ishte ende e nxehtë, por nuk dihet nëse është përdorur në vrasjen Mario Majollarit.