Qeveria pluhur e hi. Opozita thërret popullin

-Dje opozita bllokoi parlamentin, pluhurosi kokat e ministrave dhe kryeministrit si dhe ka paralajmëruar se “ky ishte vetëm fillimi…”.

-PD dhe LSI nuk ndalojnë në reagimin ndaj pushtetit. Në ditët e ardhshme kanë tjetër skenar përballje. Tashmë po thirret populli në skenë. 

Ajo çka ndodhi dje në sallën e parlamentit ishte e parashikuar, nisur nga tensioni dhe konflikti i ashpër mes opozitës dhe qeverisë, konflikt që nisi me Rrugën e Kombit, por sidomos me arrestimet e 24 kuksianëve në mesnatë. Qeveria dhe kryeministrin Rama kishin gjithë kohën e mundshme për të kërkuar realisht falje publike dhe për ti kërkuar opozitës të ulen jo vetëm për tarifën e Rrugës së Kombit, por dhe për shumë probleme të cilat shoqëria shqiptare po zien nga varfëria e mungesa e një mirëqënie të premtuar. Mirëqënia është premtuar edhe nga qeverisja e PD, por nuk u mbajt si premtim ndaj u rrëzua në vitin 2013. Tani PS-ja ka pesë vite në qeveri dhe nuk po mban premtimet. Përkundrazi vetëm disa oligarkë po pasurohen në mënyrë të tmerrshme. Mund të ndodhë që një qeveri nuk mund ti arrijë premtimet kryesore, porse ka të paktën sensin e përulësisë dhe bashkëbisedimit me opozitën për të gjetur rrugë komunikimi në interes të popullit. Kryeministri Rama, duke patur pas vetes oligarkët  si dhe një shumicë votash në parlament, si dhe duke patur një Bashkim Europian të përçarë i cili nuk e ka mendjen aspak të demokracia në Shqipëri, por te stabiliteti fasadë që përçon si imazh në Bruksel, ai pra Edi Rama po manifeston përherë e me tepër arrogancë e dhunë qeverisëse. Nuk themi dhunë si Berisha ndër vitet 1992-1997, pasi janë kushte të tjera, por Rama nuk ka takatin e Berishës së I-rë.

Megjithatë arroganca tipike personale, shtuar edhe me krimin e  organizuar i cili akoma shëtit rrugëve të Tiranës, pavarësisht se Ministri Fatmir Xhafaj punon me amerikanët për shkatërrimin e tyre, prapë e gjitha kjo mënyrë drejtimi e qeverisë ka krijuar një lëvizje popullore e cila nuk mbaron me miellin e hedhur në kokën e qeverisë. Gjasat dhe informaconet nga selitë e dy partive kryesore opozitare PD dhe LSI janë se nuk ndalojnë më që nga dita e djeshme. Dje parlamenti ishte kasaphanë, miell dhe rrëmujë aqsa të dukej si një mini ’97 në sallën e Kuvendit.

Nesër opozita ka tjetër skenar për bllokimin e qeverisë Rama, ndonëse informacione të besueshme tregojnë se vetë Edi Rama po mendon një ndryshim qeverie në muajt qershor-korrik të këtij viti. Megjithatë beteja nuk është më mes qeverisë dhe opozitës, por opozitë-kryeministër, bile beteja duket edhe si betejë ku njera palë do të përcëllohet krejtësisht nga përplasja e javëve në vazhdim, ku mendohet se populli do të pushtojë rrugët. Dhe kur populli del në rrugë atëhere qeveria nga me pluhur në parlament, ku u “bojatis” dje, bëhet shkrumb e hi në bulevardin Dëshmorët e Kombit, kur dihet fillimi i protestës masive që do të jetë për pak javë. Opozita është në ofensivë.

Kryeministri duhet të bëhet i vetdijshëm se nuk mund të vazhdojë me gjuhën e ashpërsisë dhe ironisë duke u justifikuar në gjithçka se “ fajin e ka Saliu”, se “më mori në qafë tepsia..”, ndërkohë që ka pesë vite kryeministër dhe 20 vite në pushtet si politikan.

Nëse do të përdorë forcën e armëve të pushtetit, jo si armë që shkrepen, por si dhunë apo raprezalje ndaj opozitës, nga pluhur që ishte mbuluar dje, do të bëhet hi si qeveri në pak muaj.

Dit Bushatlliu