Ura e ngushtë, burim aksidentesh në Lezhë

Të kalosh në Urën mbi lumin Gjadër që lidh disa fshatra në Zadrimë të Lezhës, është kthyer në rrezik më vete. Ura është e ngushtë dhe pa mbrojtëse anësore.

Më të rrezikuarit janë ata që nuk e njohin terrenin, pasi lëvizja është e mundur vetëm në një sens dhe mund të përfundojnë në lumë. Banorët e zonës kërkojnë që të ndërhyhet për zgjerimin e urës, pasi në këtë situatë nuk kanë munguar as aksidentet me pasoja në jetë njerëzish.

“Ka rënë një grua nga ura dhe e kanë nxjerrë me vinç. Kemi frikë të kalojmë edhe në këmbë. Kanë ardhur 7 herë fondet dhe nuk e kanë bërë”,-tha një banor për ”Ora News”.

Pak muaj më parë një person humbi jetën, pasi motoçikleta me të cilën udhëtonte përfundoi në lumë për të shmangur përplasjen me një automjet që po kalonte njëkohësisht në urë.