Skënderbeu shkatërron Flamurtarin në Vlorë, merr hak për humbjen në Kupë (VIDEO)

Skënderbeu rigjen fitoren në super ndeshjen e javës së 28-të. Skuadra korçare ka shkatërruar Flamurtarin në Vlorë, duke marrë hak për humbjen e mesjavës në Kupën e Shqipërisë. Skënderbeu e nisi me ritëm të frikshëm, duke gjetur golin e avantazhit pas vetëm 27 sekondash. Pas një aksioni model, është Soue që e ka të thjeshtë për të mposhtur Nurkoviç.

Ekipi i Dajës është i papërmbajtshëm, teksa gjen dhe golin e dytë në minutën e 12-të me Bruno Ditën. Pas një aksioni perfekt të Muzakës në krahun e djathtë, topi shkon në qendër për Soue i cili bën një finte dhe lë topin për Ditën. Goditja e tij është e pakapshme për portierin e Flamurtarit. Vendasit nuk arrijnë që të reagojnë teksa në fillimin e pjesës së dytë pësojnë dhe golin e tretë. Pas një kundërsulmi të shpejtë, Gavazaj dhuron spektakël, duke dribluar mbrojtjen kundërshtare dhe më pas lëshon një të majtë të hidhur që përfundon në rrjetë.

Skënderbeu ruan vendin e parë me 63 pikë, ndërkohë që Flamurtari pëson humbjen e tretë radhazi në kampion, duke mbetur në kuotën e 37 pikëve. /Koha Jonë/