Fleckenstein: Protestat janë të pranueshme, përsa kohë nuk ka dhunë

Eurodeputeti dhe raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein intervistë ekskluzive për “Koha Jonë”

Intervistoi: Redjon Shtylla

Eurodeputeti dhe raportuesi për Shqipërinë në PE, Knut Fleckenstein, deklaron në një intervistë ekskluzive për “Koha Jonë”, se Shqipëria meriton hapjen e negociatave. Fleckenstein vlerëson reformat e qeverisë përgjatë viteve të fundit, ndërsa për çështjen e drogës që është ngritur nga opozita, eurodeputeti thotë se do të jetë Parlamentit Europian që do t’a trajtojë këtë problem.

Eurodeputeti flet edhe për aksionin e opozitës, pas qëndrimit që pati të enjten e shkuar në konferencën me gazetarët. ”Unë kam deklaruar se protesta civile në formë të demonstratave është pjesë e jetës demokratike dhe duhet të pranohet për sa kohë që nuk përfshin elementë të dhunës”. Fleckenstein nga ana tjetër, vë theksin se përgjatë viteve të fundit janë bërë përparime në plotësimin e 5 kushteve të vendosura nga BE-ja.

Shqipëria pret rekomandimin për çeljen e negociatave. Duke parë realizmin e disa prej kritereve nga qeveria, mendoni se për Shqipërinë do të çelen negociatat, apo mund të kemi kushte të tjera surprizë?

Unë besoj se negociatat për pranimin e Shqipërisë në BE duhet të hapen. Gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka bërë shumë përparime drejt plotësimit të kritereve të pranimit. Unë mbështes qeverinë për të vazhduar reformat dhe për të rritur përpjekjet e saja në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Për protestën e opozitës, ditën e enjte, u shprehët se jeni kundër bllokimit të rrugëve. Qëndrime të tilla në Tiranë interpretohen edhe si goditje e ndërkombëtarëve ndaj opozitës dhe mbështetje e hapur ndaj qeverisë. A nuk shqetësoheni se duke i dhënë gjithmonë të drejtë mazhorancës nga jashtë, e bëni atë më shumë arrogante me zhvillimet këtu?

Kjo duhet të jetë një keqkuptim: Unë kam deklaruar se protesta civile në formën e demonstratave është pjesë e jetës demokratike dhe duhet të pranohet, për sa kohë që nuk përfshin elementë të dhunës.

Siç e përmendët në konferencën tuaj, opozita shqiptare është pro hapjes së negociatave dhe nuk do të kthehet në pengesë për integrimin. Por nga ana tjetër, opozita dhe një pjesë e opinionit ka ngritur shpesh herë pyetjen se përse BE-ja nuk ka reaguar më fort për fenomene si droga dhe krimi në Shqipëri?

Jam i bindur se zbatimi i reformës në drejtësi do të ndihmojë për të arritur rezultate më të mira në luftimin e të gjithë llojeve të krimit të organizuar dhe korrupsionit. BE-ja po i vëzhgon nga afër këto përpjekje. Progresi është i dukshëm, por ne presim rezultate edhe më të mëdha. Parlamenti Europian do t’i kushtojë vëmendje të veçantë kësaj pyetjeje.

Një kërkesë e detyrueshme e BE-së është pajtimi dhe marrëdhëniet e mira të fqinjësisë. Shqipëria është ende në proces negociatash për marrëveshjen e caktimit të kufirit detar me Greqinë. A mundet që Greqia që kthehet në një pengesë për Shqipërinë në momentin që do të votohet për çeljen e negociatave?

Unë nuk pres që Greqia të bëhet pengesë për pranimin e Shqipërisë në BE për një arsye të tillë. Kam dëgjuar nga Shqipëria dhe Greqia se bisedimet aktuale janë inkurajuese.

Ish-kryeministri Berisha, ju ka akuzuar se qëndroni pas sulmeve se PD-ja është financuar nga rusët në SHBA. A keni një reagim mbi këtë akuzë? Nga ana tjetër, PD ka hedhur akuza se ambasadorë dhe diplomat në vendin tonë, janë të blerë nga kryeministri Rama?

Unë nuk e kuptoj çfarë kishte në mendje zoti Berisha. Unë nuk kam bërë ndonjë deklaratë publike për ndikimin rus në PD. Unë do të shmangen, gjithashtu edhe në të ardhmen, nga komentimi i të gjitha thashethemeve që qarkullojnë në Shqipëri.