Erion Veliaj, “Foto e Ditës” dhe shërbim me aktorët e Portokallisë

Erion Veliaj ka postuar foton e ditës nga vizita te Katedralja Ortodokse në Tiranë. Por kryebashkiaku ka vazhduar Ditën e Pashkëve edhe me aktorët e Portokallisë.

Bashkia e Tiranës zgjodhi ta kalojë festën e Pashkës së besimtarëve ortodoksë duke i shërbyer njerëzve në nevojë. Mensat sociale të Bashkisë së Tiranës ofruan një drekë të veçantë për të gjithë të moshuarit, të pamundurit dhe grupet e ndryshme sociale, duke krijuar edhe për ta një mjedis festiv.

Me rastin e festës së Pashkës, kreu i bashkisë së Tiranes tha se shumë shpejt Kisha e Shën Prokopit në parkun e Liqenit, do të rikthehet në identitet sipas projektit të saj të vjetër.

“Bashkë me kryepeshkopin kemi finalizuar planet për ringritjen e Kishës së Shën Prokopit. Kisha që u prish gjatë kohës së komunizmit dhe u kthye në restorant, u rikthye në kishë, po ende duket si një restorant i stilit sovjetik. Kështu që, më në fund arkitektët e bashkisë dhe të kishës ortodokse kanë rigjetur të saktë të gjithë dizenjot dhe planin e kishës së vjetër dhe besoj në një kontekst fantastik si liqeni që është transformuar, rikthimi i kishës në vendin ku ka qenë, siç ka qenë, është qershia mbi tortë”m u shpreh Veliaj.

Pas urimit për besimtaret ortodokse, kryebashkiaku dhe stafi i tij të shoqëruar nga aktoret e Portokalli, Florian Binaj dhe Irgen Cela, shpërndanë një vakt për komunitetin rom, në mensën e re sociale ne Bregun e Lumit. Aktori i njohur Florian Binaj vlerësoi mbështetjen qe bashkia po i bën këtij komuniteti.

“Fakti që mbas kaq shumë vitesh i shoh të akomoduar kaq mirë, të jetojnë si të gjithë qytetarët e tjerë, është një gjë shumë e bukur, ashtu siç është shumë e bukur fakti që shumë njerëz na shohin si ata që jetojnë vetëm në televizor, me gjëra të mira e të tjera me radhë, vijmë bëjmë këtë gjë sot për ju sepse nuk ka gjë më të mirë se sa të jesh i përulur karshi gjithë qytetarëve të këtij qyteti”, tha Florian Binaj.

Të gjitha mensat sociale të Bashkisë, në kryeqytet, shpërndanë me rastin e Pashkës nga një vakt per shtresat ne nevoje.

“Përveç kësaj mense sociale këtu, kemi edhe ato në Kombinat, në Misto Mame, në Laprakë, hapëm edhe një të re te Bregu i Lumit. Fatmirësisht, kishat, xhamijat dhe OJF-të e ndryshme po na ndihmojnë, sepse një qytet që ka 1 milion banorë dhe prodhon gjysmën e ekonomisë së vendit, duhet të prodhojë edhe gjysmën e zemërgjerësisë dhe bujarisë”, tha Veliaj.