Përplasje në PS-në e Shkodrës – Bushati kritika drejtorëve, ja çfarë pret në 17 prill…

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, i cili është edhe koordinator politik i PS-së për qarkun e Shkodrës, është shprehur me nota optimiste për çeljen e negociatave. Bushati tha se pret që në 17 prill Komisioni Europian të propozojë çeljen e negociatave për antarësimin në BE.

Deklaratat Bushati i ka bërë pas një mbledhjeje me strukturat e PS-së dhe drejtues të institucioneve vendore në Shkodër, ku nuk ka kursyer kritikat. Burime nga takimi bënë të ditur për Syri.net se gjatë mbledhjes Bushati ka shprehur rezerva lidhur me shërbimet ndaj qytetarëve, duke paralajmëruar madje edhe ndryshime në rast se gjandja nuk ndryshon. Po kështu kreu i diplomacisë kërkoi nisjen nga puna për fushatën zgjedhore të 2019-ës.

Është një nga qarqet me nivelin më të lartë të ankesave përsa i takon mënyrës sesi ofrohen shërbimet ndaj qytetarëve, veçanërisht në Hipoteka dhe ALUIZN-in, mësohet të jetë shprehur Bushati gjatë takimit.

Burimet shprehen se koordinatori i PS ka kërkuar reformimin e administratës, largimin e punonjësve që nuk i përkasin PS-së, veçanërisht në institucionet e shëndetësisë. Madje konfirmohet se është lënë një afat prej 10 ditësh për pushimet nga puna të tyre.

Burimet bëjnë të ditur se kritikat e Bushatit janë kundërshtuar nga disa prej të pranishmëve, ndërsa është ngritur shqetësimi për presionet që bëhen nga deputetët për punësimet në administratë.

Ndërkohë në një prononcim për mediat, ai theksoi se 17 prilli është një moment i rëndësishëm jo për qeverinë e Edi Ramës, jo për opozitën por është një moment i rëndësishëm për Shqipërinë.

“Ne mendojmë se Komisioni Europian të propozojë nisjen e bisedimeve për antarësim në BE çka do të ishte një sukses për Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha Bushati.

I pyetur nëse Shqipëria rrezikon që të marrë një përgjigje negative me 17 prill nga Komisioni Europian, ministri Bushati shkon edhe më tej duke thënë se përveç çeljes së negociatave pret që të nisë puna sfiduese për antarësimin e plotë në BE.

“Ne presim që Komisioni Europian në 17 prill të konfirmojë pikërisht reformat që janë bërë në Shqipëri dhe të propozojë nisjen e bisedimeve dhe më pas do të jetë një punë tjetër voluminoze me vendet antare të BE, siç dihet nevojitet konsensus i plotë në mënyrë që të nisë procesi i vështirë, sfidues për antarësim që nuk do të jetë aspak një proces i lehtë. Është shumë e vështirë të ecet me ‘nëse’ sepse ne po punojmë për këto që thashë”,  tha ai.