PS: PD ka frikë nga komisioni Tahiri

Ermonela Felaj

Deputetja e PS, Ermonela Felaj ka reaguar sot për akuzat se Shërbimi Informativ Shtetëror nuk po u jep certifikatat e sigurisë deputetëve të Partisë Demokratike. Në një reagim në Facebook, Felaj thotë se pretendimet e deputetëve të opozitës nuk qëndrojnë. Sipas saj, PD ka frikë nga rezultatet që mund të nxjerrë komisioni hetimor Tahiri.

Deklarata e plotë e deputetes së PS, Ermonela Felaj:

“Pretendimi i Kryetarit të Komisionit hetimor se “SHISH nuk po u jep certifikata sigurie”, fund e krye një shpifje,  si e si për të justifikuar ngecjen e tyre nga frika e rezultateve që mund të prodhojë puna një komisioni që e kërkuan po vetë!

Certifikatat e Sigurisë Personale ose CSP, nuk lëshohen nga SHISH por nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ose DSIK.

Zoti deputet bashkë me kolegët, kaq gjë duhet ta dinë, sepse kanë aplikuar në një formular që i drejtohet DSIK!

E vetmja gjë që nuk kujton, është se ka kerkuar si dhe kolegë të tjerë, të djathtë dhe të majtë, të njihet me dokumenta zyrtare tepër sekret, njohje për të cilën nuk mund të lëshohet certifikatë sigurie e përkohshme  1 mujore. Certifikata e përkohshme lëshohet vetëm për dokumenta konfidenciale ose sekret!

Këtë thotë ligji, që me dashje nuk e lexon z.Paloka, dhe të tjera  që shpresojmë do i mësojë!

Sic duket dalja e tij bëhet me qëllimin për të gjetur shkaqe që ky komision të dështojë , nga frika e asaj cfarë mund të zbulohet, faktit që ishte pikërisht  qeverisja e Partisë Demokratike që e ngriti në sistem duke e favorizuar me cdo mjet, kultivimin dhe trafikimin e drogës.

Në fakt kjo filloi që me nisjen në mënyrë të fshehtë dhe të njëanshme  të shkresave të formuluara nga zyrat e Shqupit për institucionet, në emër të Komisionit hetimor, vazhdoi me bllokimin të merkurën  të mbledhjes së radhës të vendosur me konsesus të Komisionit hetimor dhe tani së fundi, të kapur nga frika e fakteve kompromentuese për ata vetë dhe qeverisjen e tyre që do të prodhonte ky komision, po bllokon cdo veprimtari të këtij  Komisioni.

Ka tre ditë që prej të mërkurës së kësaj jave,  që kryetari i këtij komisioni hetimor është në dijeni për kërkesat e mazhorancës, sot madje i janë dhënë këto shkresa që t’i nënshkruajë dhe ai pretendon se i duhet kohë që t’i lexojë, 8 shkresa nga dy ose 1 faqe!!!!

Urojmë t’i shkojë deri ne fund leximit dhe të lërë qaramanllëkun se po i pengon dikush!

Përkundrazi, artifica e leximit është pengesa tjetër e punës  së këtij komisioni, duke vazhduar më pas me pretendimin absurd që nuk u japin Certifikatat e Sigurisë!!!!

Gënjeshtrat  i kanë këmbët  e shkurtra, kështu  që mjaft me to!”.