Shtypi me makinë 6-vjeçarin shqiptar, jepet dënimi për maqedonasin

almir aliu

Gjykata në Kumanovë ka dënuar me 6 vjet heqje lirie autorin e vrasjes së 6-vjecarit shqiptar Almir Aliu. Gjykata vendosi të dënojë me 6 vite burg Boban Ilic. Ndërkohë babai i Almirit, Sedat Aliu u dënua me 6 muaj burg, Abdulla Aliu, 9 muaj burg dhe Sami Demiri 9 muaj heqje lirie.

“Është turp që për një vepër të këtillë serioze të shqiptohet dënim prej 6 vitesh. Gjykata nuk ka marrë parasysh shumë fakte, përfshi edhe jetën e vogëlushit Almir Aliu, madje që vendimi të jetë edhe më skandaloz, gjykata shqiptoi dënim edhe për babin dhe familjarët e Almirit”- tha avokati i familjes së vogëlushit që u shtyp me makinë për vdekje.

Në rastin e Almir Aliut, Boban Ilic i cili më herët ishte i akuzuar për “vrasje”. pas rikualifikimit të veprës akuzohet për “vepër të rëndë kundër sigurisë dhe njerëzve në komunikacion”, që si dënim parasheh burg nga 4 deri 20 vjet.

Ndryshimi i akuzës shkaktoi reagime të shumta dhe protesta popullore në Shkup.