Donald Lu: Presim më shumë çështje penale ndaj zyrtarëve të shumicës

Ambasadori i SHBA në Tiranë, Donald Lu deklaroi te emisioni i Blendi Fevziut se procesi ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri është shumë pranë ndjekjes penale. I ftuar në emisionin ‘Opinion’, Lu tha se hetimet për ish-ministrin kanë avancuar dhe se pritet të procedohet me ndjekje penale. E përkthyer në shqip do të thotë se prokuroria do të firmos fletëarrestin për ish-ministrin Tahiri.

“Po hetohet çështja ‘Tahiri’ dhe jemi pranë procedimit me ndjekje penale. Shtetet e Bashkuara kanë këmbëngulur që gjykimi i tij të bëhet në Gjykatë dhe jo të lihet në dorë të politikanëve shqiptarë”, deklaroi Lu.

Ambasadori i SHBA-ve foli edhe për emra të tjerë të lidhur me krimin, të cilët i ka përmendur edhe më herët publikisht, ndërsa sqaroi edhe pozicionin e ish kryeprokurorit, Llalla.

Por theksoi ambasadori Lu se duhet që prokuroria të hetojë dhe të arrestojë nga zyrtarët e qeverisë se Edi Ramës. Ambasadori Lu tha: “Presim më shumë çështje penale ndaj zyrtarëve të shumicës”.  E thënë nga ambasadori amerikan se hetimet po drejtohen vetëm ndaj opozitës, tregon se deri tani gjithçka ka qenë politike ndaj LSI dhe PD. Thirrja e Donald Lu që presim me shumë çështje penale ndaj ministrave dhe ish-ministrave të PS, është thirrje që duhet të zbatohet nga prokuroria.

Me këtë deklaratë të ambasadorit amerikan Lu u vertetua se prokuroria po tregohet e njëanshme dhe selektive.

Pjesë nga intervista e ambasadorit, Donald Lu

 Pyetja ime është e drejtpërdrejtë. Kur do të dënohen këta persona për problemet që kanë shkaktuar?

Besoj, kam besim se do të ndëshkohen shumë shpejt. Shumica e peshqve të mëdhenj janë në det. Pak janë tashmë në rrjeta, por shoh të dhëna që shumë shpejt do të kemi më shumë rezultate. Më lejoni të jem specifik këtu. Met Kanani – Met Kanani është një trafikant droge i rrezikshëm, trafikant shqiptar, arrestuar në Bodrum, Turqi, dy javë më parë, me ndihmën e qeverisë shqiptare.

Dhe s’ia kishim dëgjuar emrin më parë …

Është një person vërtet i rrezikshëm dhe policia juaj, prokurorët tuaj, njerëzit tuaj që punojnë kundër narkotikëve e dinë shumë mirë se kush është. Arbër Çekaj, përgjegjës për trafikimin e 613 kg kokainë…

Ai u zhduk …

U zhduk por tani ka një mandat arresti ndërkombëtar për të dhe Shqipëria po e kërkon kudo në Europë dhe ne po ndihmojmë për këtë. Klement Balili, po ashtu me mandat arresti ndërkombëtar.  Ne, amerikanët, besojmë se është ende në Shqipëri dhe ka mundësi të arrestohet në ditët që vijnë. Po shtyjmë shumë fort për këtë. E dini, Z. Balili është dënuar tashmë në Greqi për trafik droge. …

Po, ata janë gangsterët, personat e trafiqeve, dhe të tjerët. Unë flas për personat e fuqishëm, me kostume, me kostume shumë të shtrenjta, të cilët qëndrojnë çdo ditë në baret e restorantet e Tiranës dhe nuk ndëshkohen kurrë.

Vitin e kaluar, nuk kishte hetime, me sa di, kundër këtyre trafikantëve të mëdhenj të drogës apo zyrtarëve të lartë. Çfarë kemi sot? Mendoj se është shumë interesante. Shikoni çështjen kundër Adriatik Llallës. Ka shumë në media tani lidhur me këtë çështje. Po hetohet për korrupsion. Qeveria e SHBA po ndihmon në atë hetim. Shikoni Saimir Tahirin – ish-ministri i Brendshëm shumë i fuqishëm. Po hetohet dhe besoj se jemi pranë ndjekjes penale në këtë çështje. Fran Frrokaj, Kryebashkiak i Lezhës, tashmë në arrest shtëpiak për korrupsion; dhe Elvis Roshi, ish-kryebashkiak i Kavajës, kërkohet për ndjekje penale nga ky prokuror për falsifikim dokumentash dhe se ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit për një dënim për përdhunim në grup në Itali. Çështja kundër Saimir Tahirit meriton të vendoset nga një gjykatës, jo të vendoset nga politikanët, jo të vendoset nga prokurorët që nuk bëjnë punën, por duhet të vendoset nga një gjykatës që do të shohë me transparencë provat e çështjes. Kemi parë tashmë në media shumë prova.

Zoti Ambasador, do t’i kthehem vetingut, por doja t’ju pyesja për historinë tuaj me ish Prokurorin e Përgjithshëm Z. Llalla. Përse Departamenti i Shtetit ia ndaloi hyrjen Z. Llalla dhe familjes së tij në Shtetet e Bashkuara?

Sekretari i Shtetit vendosi që Z. Llalla do të ishte i pari person në botë…që sipas këtij ligji që i lejon Presidentit të Shteteve të Bashkuara t’i ndalojë hyrjen në Shtetet e Bashkuara një zyrtari të korruptuar nga një vend tjetër.

Sipas informacioneve të kujt?

Më lejoni të mbaroj. Pra, mbështetej në korrupsion të konsiderueshëm. Prandaj ne, qeveria e SHBA, dhe në këtë rast Sekretari i Shtetit, i cili nën autoritetin e Presidentit për këtë çështje, ishte i bindur se kishte prova të mjaftueshme për të besuar se Z. Llalla ishte i përfshirë në korrupsion të rëndësishëm. Këtu ngrihet edhe një pyetje tjetër, nëse ai ka shkelur ligjet e vendit tuaj. Nuk mund ta vendosim ne këtë për Shqipërinë, ne nuk jemi zbatuesit shqiptarë të ligjit. Prandaj po punojmë me prokurorët dhe policinë shqiptare, për t’i ndihmuar ata të kuptojnë atë që ne kemi kuptuar, në mënyrë që të vendosin nëse duan ta çojnë këtë çështje në gjykatë.

Shumë njerëz besojnë se ishit ju që personalisht e dëbuat Llallën për shkak të problemeve që keni pasur më parë?

Asnjë President i Shteteve të Bashkuara apo Sekretar Shtetit nuk do mjaftohej vetëm me të dhënat e Ambasadorit Amerikan. Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka shumë burime informacioni, dhe të gjitha ato të çonin në një përfundim, dhe ai ishte përfundimi ku Sekretari i Shtetit u mbështet për vendimin e tij.

A ka një hetim zyrtar për Llallën në Shtetet e Bashkuara? Nuk po flas për hetimin në Shqipëri?

Unë nuk jam agjent i FBI-së, unë nuk jam agjent i DEA-s. Nuk mund të them nëse ata kanë nisur hetimet. Unë mund të flas vetëm në emër të Ambasadës tonë dhe ne po bashkëpunojmë me autoritetet shqiptare.

Ambasador, doja t’ju pyesja sepse kanë qarkulluar komente, nëse deklaratat që ju keni bërë gjatë këtyre 3 viteve kanë qënë të miratuara nga Departamenti i Shtetit, nga politikat zyrtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës?

100%! Unë jam një burokrat shumë besnik. Unë nuk bëj asgjë pa marrë miratimin e Uashingtonit, komunikoj me Uashingtonin çdo ditë, dhe ata e dinë shumë mirë se çfarë bëjmë ne.

Marrë me shkurtime nga emisioni “Opinion” në “TV Klan”