Protesta dhe dhunë në Paris për taksat. Sindikatat: Na vjen keq, por duam të shpëtojmë të ardhmen

Mijëra nëpunës civilë, mësues dhe punonjës hekurudhe kanë dalë në rrugët e Parisit për të protestuar kundër reformave të presidentit Emmanuel Macron. Tubimet në rrugë fillimisht ishin paqësore, por më pas u krijuan trazira, ku kishte protestues që shkatërruan dritaret e dyqaneve dhe u përleshën dhunshëm me policinë.

Policia franceze përdori gaz lotsjellës kundër nxënësve të shkollave të mesme që dolën në rrugët e Parisit të enjten për të protestuar kundër reformave të planifikuara të arsimit të qeverisë, raporton BBC.

Qindra protestues filluan marshimin nga rrugët kryesore të Parisit, ditën e protestës së planifikuar të shërbimit publik, në të gjithë Francën. Disa prej tyre mbanin maska. Protestuesit në një moment filluan të hedhin gurë dhe shishe kundra policëve, duke bërë që forcat e rendit të përdorin gaz lotsjellës. Në protestë u panë gjithashtu ambulancat e gatshme.

Është planifikuar të mbahen rreth 180 demonstrata në mbi 150 qytete dhe qytete franceze. Greva e përgjithshme mbarëkombëtare ka si qëllim të godasë reformën kundra shërbimeve hekurudhore të vendit, pasi rreth 60% e trenave do të ndërpriten, si dhe aeroportet, ku 30 % e fluturimeve në Paris do të anulohen. Shkollat, spitalet, mësuesit dhe punonjësit shëndetësorë do të bashkohen me protestat.

Shtatë sindikata të sektorit publik, duke përfshirë Konfederatën e Përgjithshme të Punës (CGT), Forcën e Punëtorëve (FO), Konfederata Franceze e Punonjësve të Krishterë (CFTC), thanë të enjten do të jenë në grevë. Kështu, punëtorët publik po bashkon me protestat për të kërkuar pagesën e ditës së pushimit dhe për të protestuar ndaj eliminimit të rreth 120,000 vendeve të punës në sektorin publik, ndërsa kontrollorët e trafikut ajror kërkojnë rritje të pagës dhe personelit shtesë.

Arsyet pas protestave të pedagogëve të universitetit dhe kolegjit përfshijnë gjithashtu kërkesë për rritje të stafit. Ata pretendojnë se rreth 3,800 vende shtesë të premtuara nga fillimi i vitit të ardhshëm shkollor nuk janë të mjaftueshme për të zbatuar reformën arsimore.

Një në katër mësues janë në grevë të enjten, ndërsa studentët në qytetet franceze të Parisit, Caen dhe Montpellier do bllokojnë disa kolegje, duke denoncuar reformën në universitet dhe ndryshimet në provimet e matures.

Punonjësit e RATP (operatori i metro Parisit) janë gjithashtu në grevë për të treguar solidaritetin e tyre me hekurudhat, të cilët po luftojnë kundër qeverisë duke hequr statusin e tyre të veçantë dhe duke hapur tregun hekurudhor francez për kompanitë e reja.

Protestuesit që u mblodhën në qytete të ndryshme franceze mbanin postera duke thënë: “Na vjen keq për këto shqetësime, por po përpiqemi ta shpëtojmë të ardhmen tonë”.

Ditët e grevave nuk paguhen as në sektorin publik as në sektorin privat. Disa sindikata, si CFDT ose CGT, po mbledhin fonde për të paguar punonjësit për kompensim për ditët e protestave.

Burimi: BBC. Përktheu: Ira Hetemaj