Video/ Revolta e qytetarëve shqetëson qeverinë, Rama sërish për taksën në Rrugën e Kombit: Abone për kuksianët

Revolta që ka shkaktuar implementimi i pagesës së qarkullimit në Rrugën e Kombit, por dhe arrestimi i protestuesve të së shtunës në tunelin e Kalimashit, duket se po e shqetëson seriozisht qeverinë.

Për të dytën herë brenda pak minutave kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish përmes një komenti po në profilin e tij në ‘Facebook’, ku sqaron kontratën e lidhur me koncensionarin e pajtuar nga qeveria për mirëmbajtjen e kësaj rruge.

Teksa ka lidhur pamjet direkt nga konferenca për shtyp e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, Rama shprehet se kontrata parashikon pajisjen me abone të banorëve të zonës dhe për udhëtarët që e përdorin më shpesh rrugën.

“Siç parashikohet në kontratë, çdo banor i zonës së Kukësit, si përdoruesit i shpeshtë i Rrugës së Kombit, do të mund të përfitojë nga sistemi i aboneve dhe njëkohësisht të kontribuojë për mirëmbajtjen e rrugës dimër-verë, si edhe investimet mbrojtëse e plotësuese të saj”- shkruan Rama duke i bashkëngjitur komentit të tij dhe pamjet live nga konferenca e shtypit e Ministri të Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, i cili po sqaron pikat e kontratës së koncensionarit.

Protesta në Rrugën e Kombit, Gjiknuri: Dhunë barbare

Edhe ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri ka vazhduar në gjurmët e Edi Ramës me epitetet e tij ndaj popullit kuksian, hasjan e tropojan.

‘Ajo ishte një dhunë barbare’, u shpreh që në nisje të fjalës së tij, ministri i Edi Ramës.

Damian Gjiknuri ka dalë në një konferencë për mediat, në tentativë për të justifikuar vendimet e marra nga Edi Rama për dhënien me koncesion të Rrugës së Kombit.

“Siç parashikohet në kontratë, çdo banor i zonës së Kukësit, si përdoruesit i shpeshtë i Rrugës së Kombit, do të mund të përfitojë nga sistemi i aboneve dhe njëkohësisht të kontribuojë për mirëmbajtjen e rrugës dimër-verë, si edhe investimet mbrojtëse e plotësuese të saj. Sot vazhdojnë pasojat e mungesës së mirëmbajtjes në Rrugën e Kombit dhe rritje të numrit të aksidenteve.

Doni të shikoni një shembull degradimi në autostradën Tiranë-Durrës? Ajo ka nevojë ëpr ndërhyrje në thellësi dhe ne i kemi marrë masat, por ajo kërkon 20-30 milionë lekë. Vetëm për ta riveshur do të shpenzojmë 11 milionë euro nga Banka Botërore, imagjinoi sa duhen për të ndërhyrë në thellësi.

Ju kujtoj një rast të fundit, rruga Tiranë – Elbasan, jo rrëshkitjen e fundit, por atë pas tunelit të Elbasanit që kërkoi 4 milionë euro dhe kjo tregon se sa duhet kur nuk ndërhyn në kohë.

Këto fonde nuk janë të mjaftueshme sepse nevojat për investime janë shumë të larta.  Për këtë nuk është bërë shpikje e qeverisë Rama dhe asnjë qeverie tjetër por ka një strategji edhe nga qeveria Berisha sesi duhet vepruar me investimet afatgjata. Ndërhyrja duhet bërë me intervale të rregullta. Rrjeti rrugor ka 15 mijë km rrjet kombëtar. Sipas studimit të BB, mirëmbajtja e 3900 km nacionale për të cilat përgjigjet qeveria qendrore kërkon për 5 vite, 320 milionë euro!” tha ministri Gjiknuri për mediat.