Islami: Rama tha s’ju ngrihet, por është në rrugë të gabuar

Nga Kastroit ISLAMI

Shpresa po lind…

Xhohn Kenedi ka thënë: “Ata që bëjnë të pamundur revolucionin paqësor do të bëjnë të paevitueshëm revolucionin e dhunshëm…”! Mos u thënë që kjo të ndodhë në Shqipëri, megjithëse Rama po e bën atë të paevitueshëm!

***
Të enjten, në parlament, Rama u tall dhe ofendoi të gjithë kundërshtarët e taksës së rrugës duke i krahasuar me “organin seksual që s’ngrihet”. E kishte kryesisht veriorët, por edhe kosovarët, dhe pa asnjë dyshim të gjithë ata shqiptarët opozitarë.

Pra të enjten, një kërkese paqësore të shqiptarëve, veriorëve de kosovarëve, të prezantuar përmes opozitës, në institucionin e parlamentit, vetëm duke përdorur fjalën dhe asgjë më shumë, Rama ju kundërvu me dhunë verbale, duke përdorur madje një fjalor dhunues banal, e denigrues për të gjithë ata njerëz që mendojnë ndryshe nga ai.

Kryesisht denigroi dhe ofendoi veriorët e kosovarët, kërkesën e të cilëve opozita e paraqiti paqësisht.

Referuar fjalëve të ish-Presindetit Amerikan Xhohn Kenedi, kërkesës paqësore të opozitës, Rama iu kundërvu me dhunë verbale, nga më të turpshmet në historinë e parlamentit shqiptar.

Të ofendosh të gjithë opozitën, në rastin konkret veriorët e kosovarët, duke i krahasuar me një “organ seksual” është tejet denigruese, është ekstremisht e padenjë për një kryeministër, është e turpshme.

Qytetarëve të varfër, të papunë, të pashpresë, të keqqeverisur, të dhunuar dhe më së fundmi edhe të denigruar, nuk i mbetej asgjë tjetër vecse të reagonin.

Sot në Kukës, veriorët e kosovarët, pa dallime partiake, së bashku, vepruan paqësisht duke kërkuar që të mos aplikohet taksa abuzive dhe antikombëtare e rrugës së Kombit. Ishin grumbulluar për të vepruar paqësisht dhe vazhduan të bënin kërkesat e tyre paqësisht.

Por policia e urdhëruar nga Rama i dhunoi. I dhunoi duke mos i lejuar të bënin kërkesat e tyre paqësisht. I gjakosi sepse reaguan paqësisht. Tentoi ti poshtëronte më një mënyrë tjetër, me mjete policore, ndryshe nga poshtërim verbal e përvers që i bëri dje.

Veriorët të bashkuar me kosovarët reaguan. Reagimi i tyre duket vetëm fillimi i fundit të një qeverie që ka bërë të pamundur kërkesat paqësore. Që tallet dhe ofendon atë që proteston paqësisht. E konsideron “organ seksual që nuk grihet” atë që kërkon të drejtat e tij paqësisht.

Rama tani po shkon shumë larg, duke tentuar të rrisë dhunën policore. Të godasë më fort veriorët e kosovarët. I tronditur nga pasiguria dhe frika, ai po përpiqet të gjakosë qytetarët.

Dhuna verbale dje dhe dhuna policore sot kanë vetëm një synim, të pamundësojnë kërkesat paqësore.

Rama është në rrugë të gabuar…Nëse nuk ndalet sot, nesër do të jetë shumë vonë.

Populli asnjeherë nuk ofendohet. Nuk dhunohet. Nuk goditet. Nuk gjakoset. Nuk i pamundësohet reagimi paqësor. Sepse reagimi i tij bëhet i papërmbajtshëm. Kjo kohë duket se po vjen.

Duket sikur thënia e ish-Presidentit të SHBA Xhohn Kenedi po bëhët realitet … Sepse me dhunën dhe veprimet policore, Rama vetëm po shton urrejtjen qytetare ndaj tij. Po nxit revoltën. Mos e thëntë zoti që ajo të jetë e dhunshme! Me siguri do të tërhiqet si frikacak. Ai e ka të qartë se shpresa po lind.

*Ish-deputet i PD-së. Shkrimi është marrrë në faqen e tij personale në facebook