Edi Rama: Frymëmarrjen e kam në rregull

Në komunikim që kryeministri Edi Rama pati për qytetarët pas protestës masive në Tunelin e Kalimashit kundër taksës për Rrugën e Kombit, u vu re një detaj. Diçka nuk shkonte me shefin e qeverisë. Dhe si rrallë herë, emocionet, apo inati, apo frika, këtë nuk mund ta përcaktojmë, nuk i lejonte të kishte frymëmarrjen e qetë. Gjatë deklaratës, shefi i mazhorancës u dëgjua shpesh herë të kishte marrje fryme.

Këtë e ka shpjeguar vetë kreu i qeverisë, përmes rrjetit social Facebook, ku ka ndarë një status. Ai thotë se e ka ndjerë këtë deklaratë dhe përgjegjësinë e detyrës që ai mban, ndaj edhe ka ndjerë rrahje zemre tej normales.

“Kam një lajm për ata që merren me frymëmarrjen time në komunikimin e sotëm: Kam gjak shqiptari jo llum kazani në vena. Zemrën e kam në vend jo në zorrë. Mish e shpirt i kam në dispozicion të detyrës dhe të atyre që e duan këtë vend megjithë mend e këtë popull megjithë zemër!”, shkruan Edi Rama në Facebook.