Si nuk e kanë frikë Zotin?

Nga Enkel Demi

Sot, është e Premtja e Madhe, ditë morti e përbotshme, sepse pikërisht gjatë Pashkës hebraike, njerëzimi vrau Zotin. Shenja e zisë mbulon besimtarët, të cilët do të jenë dëshmitarë të ringjalljes së Krishtit në meshën e nesërme, në zemër të natës, kur do të ndizet drita.

E përshkruar në këtë mënyrë duket sikur ke marrë një nga ato fjalitë e rëndomta që thonë drejtuesit televizivë në kësi rastesh. Meqë i përkas kësaj race, natyrisht nuk mund t’i shpëtoja një përshkrimi kaq të zakonshëm, të cilin e dëgjojmë shpesh dhe pse jo mund të na hapet goja, kur na e rrëfejnë. Në fakt, kemi të bëjmë me tragjedinë më të madhe njerëzore, me të vërtetën më copë, me të cilën të krishterët përballen në çdo meshë; fitoren mbi vdekjen.

Natyrisht, unë nuk jam predikues apo teolog, ndaj nuk ka përse të presë kush prej meje ndonjë gjë të ndritshme në këtë lëmë. Por, më së shumti prej motesh e motesh më bëjnë përshtypje, ata që e vranë Krishtin; farisejtë, populli që zgjodhi Barabën, histeria e turmës, romakët që e rrahën dhe e vunë në lojë, Pilati. Kur e prek këtë histori si çdo njeri i thjeshtë pyes veten: Po ti në cilën anë do të ishe, po të vinte Krishti në Shqipëri? Me gjasë, kisha për të qenë në anën tjetër të lojës, tek vrasësit, pasi në këto raste pakica që zgjedh të jetë në krahun e humbjes së sigurtë, kapitullimin e plotë, nuk ka të bëjë me oportunistët si puna ime. Kam një bindje të patundur që nëse Krishti po të zbriste sot në Shqipëri, do e kishim vrarë e prerë, ndoshta më zi se hebrenjtë e lashtë. Për këtë nuk duhet të bësh studime të larta dhe të thella. Mjaft, të shohësh se si jetojmë, cilët janë ata që tërheqin penjtë e lojës dhe si e ndjellim vdekjen çdo ditë të lume që na fal Perëndia.

Kemi krijuar një shoqëri, ku vlera e vetme është fuqia e pares, pushteti i saj. Për të ndërrojmë parime, atdhe, familje, shesim njerëzit e dashur. Juda Iskarioti për një dorë pare e shiti Zotin e tij, madje duke përdorur puthjen për shenjë. A nuk janë Judë besëprerët e këtij vendi që e dredhin sa në një qoshe në tjetrën për një vend pune më të mirë, për pak para më shumë, tek e fundit për ta larguar skamjen, qoftë dhe për një ditë? Në një farë mënyre nuk e vrasim veten çdo ditë? Dhe po si Juda nuk shkojmë në konop me gjëmën e fajit?

Farisejtë, autoritetet, dredharakët si Pilati që lajnë duart, a kanë ndryshim nga ata që po na udhëheqin? Në Jeruzalemin e asaj kohe a nuk ishin taksidarët që u shtrëngonin lagun tek fyti skamnorëve? Në Shqipërinë e sotme a nuk po luhet e njëjta lojë me taksa, tatime, hipoteka, dogana, fatura uji, energjie? Pa t’i shohim një herë në sy udhëheqësit tanë se çfarë i bëjnë gjindjes…, ndërsa e shkelin me këmbë, e përdhosin, e fyejnë, i marrin erzin, i fusin dorën në xhep a tek çanaku i bukës. Duket sikur historia përsëritet kokëfortë, veç mënyra e veshjes ndryshon. Këta që janë në krye kanë të njëjtën arrogancë të pacipë të pushtetit, tek i skërmitej Krishtit: “Tani që je në kryq, përse nuk i thua Zotit tënd të të shpëtojë?”.

A nuk zgjodhi në atë kohë gjindja që mes Krishtit dhe Barabës, të shpëtonte nga vdekja Barabën, cubin pra. Po pse çfarë ndodh sot në Shqipëri? A nuk zgjedhin me qejf katundarët dhe qytetarët të fortin, banditin për deputet apo kryetar bashkie? Historikisht, shqiptarët kanë bërë të njëjtën zgjedhje; nga Haxhi Qamili deri tek këta analfabetët me shumë emra që i kanë sot sipër kokës.

Prandaj, ka vetëm një pyetje: Si nuk kanë frikë? Jo aq shumë turma, sepse ajo përherë do të manipulohet, por ata që e udhëheqin atë në prapësi. Si nuk kanë frikë që përhapin farën e krimit? Si nuk kanë frikë që grabisin? Si nuk kanë frikë që shkatërrojnë qytete e pasuri? Si nuk kanë frikë që mbjellin me kaq dëshirë varfërinë? Si nuk kanë frikë që e kanë kthyer narkotrafikun në rrugë suksesi? Si nuk kanë frikë që e lirojnë kriminelin nga burgu? Si nuk kanë frikë që nuk e arrestojnë vrasësin a trafikantin? Si nuk kanë frikë që kanë ngritur kultin e të fortit? Si nuk kanë frikë që rrejnë kaq shumë? Si nuk kanë frikë që të djelën do të urojnë Pashkën?/27.al