Guleni trazon Kosovën, Veseli: I turpëruar

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli u shpreh thellësisht i indinjuar nga arrestimi dhe deportimi i 6 shtetasve turq një ditë më parë, një akt ky për të cilin ai bën përgjegjës si presidentin Hashim Thaçi, ashtu edhe kryeministrin Ramush Haradinaj.

“Gabimi i parë është institucional, sepse nëqoftëse kanë qenë terroristë është dashur dy vite më herët të largohen, me procedura të ngadalta. Kam bërë gjithçka ka qenë e mundshme, i kam thirrur të gjithë. Kam thirrur kryeministrin e çdo institucion. Kam qenë në gjendje të shkoj edhe në aeroport, vetëm se fatkeqësia e tyre ishte se lajmëruan vonë, në kohën kur ishin gatuar të gjitha. Veprimet janë të paprecedenta. Kurrë nuk kisha besuar se një ditë, si dita e djeshme, do të isha aq i turpëruar, jo si institucion, si kryetar i Kuvendit, sepse i forti të detyron edhe të gjunjëzohesh nganjëherë, por nga ajo se çfarë po ndodh në një shtet ku kam përgjegjësi”, tha Veseli.

Dëbimin e punonjësve të institucioneve arsimore “Gulistan”, Veseli e përshkroi gati si rrëmbim. Episodi ka shkaktuar një tërmet të vërtetë në Kosovë, ku Haradinaj shkarkoi paraditen e sotme dy personat e konsideruar përgjegjës: ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, si dhe drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës (AKI), Driton Gashi.

Shefi i ekzekutivit e bëri të qartë se nuk ishte informuar në kohë mbi arrestimet, e këtë e theksoi edhe në Kuvend.

“Nisja e kësaj procedure është bërë nga AKI-ja për revokim të lejeve të qëndrimit, për shkak se nga të dhënat e AKI-së paraqisnin rrezikshmëri për Kosovën. AKI ka bazë ligjore që t’i kërkojë Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion, që të ndodhë ekstradimi, i cili procedurialisht ndodh në mënyrë automatike”, tha Haradinaj.

Personi më i kënaqur në këtë situate është Recep Tayyip Erdogan. Ai citohet nga mediet kosovare të ketë reaguar ndaj zhvillimeve të fundit, duke riafirmuar zotimin për të nxjerrë para drejtësisë ata që i quan “pjesëtarë të organizatës terroriste FETO” .

“Agjencia jonë Kombëtare e Inteligjencës, në bashkëpunim me Inteligjencën e Kosovës kapën 6 përfaqësues të lartë të FETO-s në Ballkan, i sollën dhe ua dorëzuan organeve policore. Ne kemi thënë se do t’i ndjekim këta njerëz dhe do t’i sjellim këtu me lejen e Zotit, kudo që gjenden. Do të kërkojmë llogari”, citohet të ketë thënë kreu i shtetit turk.

Drejtuesit e kolegjeve “Mehmet Akif”, përmes një njoftimi dërguar medieve pretendojnë se 6 shtetasit turq nuk janë deportuar për në Turqi, por gjenden në Kosovë. Të afërmit e tyre, nga ana tjetër, u mblodhën përpara ndërtesës së qeverisë së Kosovës për të kërkuar informacione mbi të ndaluarit, për të cilët nuk dinë asgjë se ku gjenden e çfarë u ka ndodhur.

Kryeministri shkarkon Ministrin e Brendshëm