Gjykata nuk regjistron Dukën. Fino: Do vazhdoj hetimin. FSHF: Ja e vërteta

Në foto: Bashkim Fino duke i uruar fitoren Armando Dukës, pas rizgjedhjes si President i FSHF (7 shkurt 2018)

Një përplasje e re duket se ka lindur pas zgjedhjes së kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit. Gjykata e Tiranës nuk regjistron Armando Dukën President të Federatës Shqiptare të Futbollit i rizgjedhur në Asamblenë e 7 shkurtit. Ish-rivali i Dukës, Bashkim Filo doli sot dhe konfirmoi këtë procedurë të gjykatës duke e cilësuar si fitore të kauzës së tij. Ndërkohë, Federata Shqiptare e Futbollit reagoi pasdite duke deklaruar se bëhet fjalë vetëm për një procedurë verifikuese normale të Gjykatës së Tiranës dhe asnjë refuzim apo vendim që vë në pikëpyetje zgjedhjet.

Në zgjedhjet e 7 shkurtit, Armando Duka fitoi me 38 vota, rivali i tij Bashkim Fino mori 24 vota, ndërsa 3 të tjera rezultuan të pavlefshme. Pas humbi Bashkim Fino i dha dorën Armando Dukes dhe e uroi, ndërroi mendje sapo doli nga salla pas nje telefonate dhe e kundershtoi zgjedhjen e Dukes.

Votimi dhe rezultati i zgjedhjeve në Asamble u dërgua për regjistrim në Gjykatën e Tiranës.  Ende nuk dihet zyrtarisht se përse gjykata ka refuzuar depozitimin e vendimeve të Asamblesë, por nga praktikat e ngjashme, një kërkesë e tillë mund të refuzohet ose për mungesë të dokumentacionit që parashikohet nga Statuti, ose për shkak të mosarritjes së kuorumit për vendimmarrjen e Asamblesë, që do të thotë nëse në vendimmarrje kanë marrë pjesë ose jo, persona që i parashikon Statuti. Vendimi i zbardhur pritet t’i dërgohet FSHF-së, e cila do të ndërmarrë më pas hapat në zbatim të këtij vendimi refuzues.

Ndërkohë që kandidati për kreun e FSHF, Bashkim Fino ngriti padi duke e cilësuar të parregullt procesin dhe duke paraqitur pretendime për vlefshmërinë e anëtarëve të Asamblesë që morën pjesë në votime.

Sipas kandidatit Bashkim Fino, shumë nga anëtarët e Asamblesë që votuan kanë qenë të paligjshëm dhe të paregjistruar në Gjykatë apo QKB. Po ashtu Fino pretendon se një pjesë e anëtarëve që votuan ishin mandatuar në mënyrë abuzive.

Këto ankesa duket se kanë bërë që Gjykata të vendosi për të mos regjistruar vendimin e Asamblesë për zgjedhjen e Presidentit të FSHF dhe 9 anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv që u votuan më 7 shkurt.

Deputeti i PS dhe kandidati Bashkim Fino e përshëndeti i pari vendimin e gjykatës. Në një shënim në Facebook, Fino thotë se kishte besim se drejtësia do të merrte vendimin e duhur. Ndërkohë që premton se çështjen  do t’a ndjekë dhe në shkallë të tjera të gjyqësorit. “Përshëndes shpresën që dha sot drejtësia, që çdo manipulim, nuk do ketë sukses para ligjit. Ky ishte një mesazh për të gjithë viktimat e këtij sistemi, që Armand Duka nuk ka për të pasur më sukses me metoda të paligjshme. Procesi vazhdon edhe në KAS-in shqiptar dhe sidomos në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë”,- shkruan në Facebook, Bashkim Fino.

Sic thamë pas shpalljes së rezultatit më 7 shkurt, Bashkim Fino e uroi rivalin e tij për fitoren. Ndërsa më pas deklaroi se do të ankohej në gjykate.

Këto kohë gjykatat janë në presionin e Vettingut, të cilin siç akuzon opozita po e drejton me anë të njerëzve të saj PS-ja, ku Bashkim Fino është deputet i saj.

Reagon FSHF: Është vetëm verifikim

Federata Shqiptare e Futbollit përmes një njoftimi për shtyp ka sqaruar edhe arsyet e mospranimit të rezultateve të zgjedhjeve të Asamblesë së institucionit më të rëndësishëm futbollistik, ku Armand Duka u rikonfirmua me një mandat të katërt.

FSHF sqaron se Gjykata e Tiranës nuk ka një vendim refuzimi apo konstatimi të paligjshmërisë së zgjedhjeve të fundit të organeve drejtuese të FSHF, po se ky vendim ka të bëjë vetëm me kthimin e kërkesës, për shkak të plotësimit të disa dokumenteve shtesë që ka kërkuar gjykata.

“Kjo praktikë në Gjykatë ka të bëjë vetëm me regjistrimin e akteve. Legjislacioni në fuqi kërkon që këto akte të regjistrohen në Gjykatën e Tiranës, dhe nga ana e saj, gjyqtarja e çështjes ka kërkuar vetëm disa plotësime në dokumentacionin e kërkuar, të cilat shumë shpejt do ti vihen në dispozicion”, – theksohet në reagimin e FSHF.
DEKLARATA E BASHKIM FINOS NË FACEBOOK:

“Pasi konstatova dhe denoncova publikisht paligjshmërinë e funksionimit të FSHF, mënyrën se si i manipuluan zgjedhjet, duke futur persona të pautorizuar dhe shoqata te paregjistruara, bashkë me stafin tim, vendosëm të ndjekim rrugën ligjore. Kisha besim te drejtësia dhe ajo u shpreh sot, duke mos e regjistruar Asamblenë Zgjedhore të datës 7.02.2018.
Përshëndes shpresën që dha sot drejtësia, që çdo manipulim, nuk do ketë sukses para ligjit.
Ky ishte një mesazh për të gjithë viktimat e këtij sistemi, që Armand Duka nuk ka për të pasur më sukses me metoda të paligjshme.
Procesi vazhdon edhe në KAS-in shqiptar dhe sidomos në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë.
Pë një futboll të pastër dhe të drejtë!”