Zbardhet VKM, ndryshon ligji për dëmshpërblimet e ish-të përndjekurve

Të gjithë ish-të dënuarve që kanë vuajtur dënimin në burgjet ku punohej në minierë në nëntokë, vitet e qëndrimit do t’u njihen si punë e kryer në minierë. Qeveria ka propozuar një ndryshim në ligjin për ish-të dënuarit dhe të përndjekurit politikë, ku për efekt pensioni koha e vuajtjes së dënimit do të konsiderohet punë e paguar. Periudha që do të njihet do të jetë sa dyfishi i kohës së qëndrimit në këto burgje.

Pra, nëse një ish- i dënuar ka qëndruar 10 vjet në burgun e Spaçit apo Qafë Barit, atij do t’i njihen 20 vite pune në minierë. Paga do të llogaritet e njëjtë me pagën e punës në minierë. Për të marrë vërtetimin për kohën e vuajtjes së dënimit në burgjet ku punohej në minierë, individët që preken nga ky projektligj, pas votimit në Kuvend, mund t’i drejtohen Ministrisë së Brendshme.

Ndryshimet në ligj zgjidhin një numër konfliktesh mes ish-të përndjekurve dhe shtetit shqiptar. Këta të fundit nuk përfitonin dot pensionin, pasi institucionet nuk gjenin dot dokumentet që vërtetojnë se kanë punuar në nëntokë. Me ligjin e vitit 2014 për minatorët, parashikohet se kush ka punuar në nëntokë për mbi 12 vite përfiton pension të plotë. Me këtë ndryshim, një individ që ka vuajtur të paktën 6 vite në burgjet e mësipërme do të mund të përfitojë, gjithashtu, pension të plotë.

VKM-ja
Vendimi i Këshillit të Ministrave saktëson se “Koha e vuajtjes së dënimit të ish-të dënuarve politikë në burgjet ku punohej në minierë në nëntokë, për efekt pensioni, të njihet si punë e kryer në minierë në nëntokë. Periudha njihet sa dyfishi i periudhës së qëndrimit në këto burgje. Paga llogaritet sa paga e punës në minierë. Vërtetimi për kohën e vuajtjes së dënimit në burgjet ku punohej në minierë në nëntokë lëshohet nga Ministria e Brendshme në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë.”

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj ka bërë ditur në muajin shkurt iniciativën e qeverisë për ndryshimin e ligjit. Ministri Arben Ahmetaj zhvilloi në atë kohë një interpelancë me një grup ish- të përndjekurish ku bëri të ditur se të gjithë ish-të përndjekurit politikë, që në kohën e burgimit kanë punuar në minierë do të trajtohen me ligjin e minatorit.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj gjatë një interpelance me ish-të përndjekur në Platformën e Bashkëqeverisjes me Njerëzit, deklaroi se ligji do të thjeshtohet. Kështu ish-të përndjekurit nuk kanë nevojë të kenë vërtetim që kanë qenë në burg, por automatikisht nga ISSH do iu njihen një vit burg baras me dy vite punë. “Pasi ka ardhur ankesa juaj, ne kemi pasur një takim të detajuar me kryeministrin. Arsyeja e vonesës është se, sipas ligjit 7514 “Për trajtimin e minatorit”, ju kërkon ju që të merrni një dokumentacion në një komisioni të ngritur nga ministria e Drejtësisë dhe e Brendshme. Kryeministri e konsideron si një procedurë të lodhshme për ju. Kështu kryeministri më kërkoi mua të bëjë disa ndryshime në ligj, i cili do kalojë pas një muaji në parlament.

Pra, me këtë thjeshtim të ligjit ju nuk keni nevojë për dokumentin e vërtetimit, në mënyrë automatike një vit burg do t’ju llogaritet si dy vite punë. Ju jeni 264 persona që përfitoni nga ky ndryshim ligji, i cili do thjeshtohet”. Një tjetër problematikë e ngritur nga ish-të përndjekurit, ishte dhe vonesa e pagesës për dosjet, si dhe dëmshpërblimi nga ligji i terrorit në burgje, për të cilat ministri premtoi se do marrin zgjidhje.