Si mund të blesh armë në Tiranë pa asnjë dokument dhe pa kaluar asnjë …

Si mund të pajisesh me armë gjahu pa pasur asnjë dokument? Madje, pa kaluar në asnjë komision, siç parashikohet nga ligji “për armët”.

Bashkëpunëtorët e emisionit investigativ Fiks Fare paguan 35 mijë lekë dhe morën një armë gjahu. Në disa dyqane armësh nuk të kërkojnë asnjë dokument, raporte mjekësore, vlerësim nga Policia e Shtetit apo edhe dalja para komisionit.

Bashkëpunëtorët e Fiksit shkojnë në një dyqan armësh, ndërsa bisedojnë edhe me personin që shet armë gjahu. Fillimisht, gazetarët i kërkojnë të blejnë fishekë për armë gjahu, ndërsa i bëjnë me dije shitësit se nuk marrin vesh nga armët e gjahut. Gazetari i kërkon shitësit një çifte pa leje dhe ai i thotë se do t’i gjejë një armë teke ruse ose turke, pasi çiftet janë të shtrenjta. Gazetari i thotë se e do të lirë që ta mbajë në shtëpi, ndërsa shitësi i kërkon që “unë s’të kam dhënë gjë”. Mësohet se arma e gjahut kushton 35 mijë lekë të reja.

Gazetarët shkojnë sërish në dyqan për të marrë armën e gjahut. Në momentin që bashkëpunëtorët e Fiksit shkojnë në dyqan, shitësi telefonon një person. Ai del jashtë dyqanit, merr lekët (35 mijë lekë të reja) për armën e gjahut dhe më pas solli armën. “Merre se nuk dua ta fus në dyqan” i thotë ai, ndërsa gazetari i kërkon që ta mësojë si ta përdorë. Shitësi ia monton me një gjahtar tjetër dhe ia jep armën e gjahut teke.

Ndërkohë, gazetarët e Fiks Fare faktuan se, krahas armëve të gjahut, edhe fishekët shiten lirshëm, madje pa paraqitur asnjë dokument. Në qytetin e Lezhës, në një dyqan ku shiten armë gjahu, shitësit të shesin fishekë për derra pa kurrfarë dokumenti. Gazetarët blejnë një kuti me saçme derri dhe një kuti me fishekë për gjueti shpendësh. Krahas gazetarëve, edhe persona të tjerë blejnë fishekë për mëllenja pa asnjë dokument shoqërues.

Në ligjin me numër 74 të vitit 2014 përcaktohet se autorizimi për mbajtje arme gjahu, sportive dhe armë të tjera, jepet nga organi përgjegjës i Policisë së Shtetit. Ndërkohë, municionet e rimbushura të armëve të gjahut janë të destinuara për përdorim të mbajtësit të autorizimit.

Në nenin 34 thuhet se personat që pajisen me armë duhet të kenë mbushur 25 vjeç, mos të kenë dënime apo të kenë ushtruar dhunë në familje, të zotërojë dëshminë për kryerjen e kursit të aftësimit teorik dhe praktik për përdorimin e armës dhe të gëzojë besueshmëri. Ndërkohë, kushdo që duhet të blejë apo mbajë armë duhet të dëshmojë që nuk ka çrregullime fizike dhe të shëndetit mendor, të pasqyruara këto në raportin periodik mjekësor, të lëshuar nga komisionet mjeko-ligjore. Për të verifikuar këto procedura, në Policinë e Shtetit ngrihen komisione për dhënien e licencave dhe autorizimeve për veprimtaritë e lejuara me armë.