Debate në Komisionin ku raporton ministrja Kumbaro, Vokshi: A do shembet Teatri Kombëtar?

Ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar ka ngjallur debate në mbledhjen e sotme të Komisionit parlamentar të Edukimit, ku është thirrur për të raportuar ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.

Që në nisje, deputetët e mazhorancës kanë replikuar me ata të opozitës, sa i takon thirrjeve të mëparshme që ky Komisionin i ka bërë ministres Kumbaro për të raportuar lidhur me projektin e Teatrit të ri Kombëtar.

Kryetarja e Komisionit, deputetja demokrate Albana Vokshi ka replikuar me ministren Kumbaro, duke i kërkuar që t’i përgjigjet pyetjeve konkrete lidhur me këtë çështje, dhe të mos bënte raportime përgjithësuese.

“Më lejoni t’i përgjigjem pyetjeve tuaja. Sesi e formuloj unë fjalinë është e drejta ime”, tha ministrja Kumbaro, pasi deputetja Vokshi e ndërpreu disa herë duke i ripërsëritur pyetjen “A do të shembet Teatri Kombëtar?”.