“Boom” / Letaj, fshati shqiptar që “fle” mbi minat serbe

Emisioni Boom arrin të filmojë mina të vendosura nga serbët dhe ende të rrezikshme në zonën kufitare të Hasit. Në Letaj, një fshat i vogël, banorët tregojnë në fakt më tepër se kaq. Janë një numër i konsiderueshëm njerëzit që e kanë pësuar nga minat serbe. Ka të vdekur, të mbetur pa gjymtyrë, por sipas tyre, ka edhe sëmundje të cilat nuk kanë qenë më parë të zakonshme.

Për këtë ata kanë kërkojnë ndihmën e shtetit dhe të disa institucioneve kompetente që të kryejnë matje të sasisë së lëndëve të rrezikshme që mund të gjenden në ujërat, por edhe tokën e kësaj zone. Dhe nuk flasin vetëm për minat, që gjithsesi vazhdojnë të mbesin një rrezik I madh për këdo banor. Dëshmitarët dyshojnë se serbët kur kanë goditur në tokën tyre, kanë përdorur lëndë radioaktive. Në fakt gjurmët e predhave duken jo vetëm në tregime, dhe dëshmi, por edhe në disa prej godinave të fshatit Letaj.

Një prej dëshmitarëve të emisionit Boom, i dëmtuar nga minat, ndërkohë që djali i xhaxhait të tij vdiq po prej tyre, ka treguar se si i ka parë vetë serbët që të vendosnin mina në territorin shqiptar. Një tjetër dëshmitar tregon për vdekjen e djalit dhe nipit të tij në vitin 2001, ndërkohë që një tjetër për vdekjen e babait 39 vjeç. Të gjithë për shkak të minave serbe. Emisioni i është rikthyer edhe një dëshmitari që ka folur në vitin 1999 për një stacion francez, ndërkohë që në videon e siguruar nga Boom, dëgjohen fare mirë shpërthimet e predhave serbe në afërsi.

Dëshmitari ka treguar pas 19 vjetësh se ai ka arritur të shpëtojë vetëm duke u strehuar në një bunker, ndërkohë që dyqani i tij ku po jepte intervistën u kthye në gërmadhë nga bombardimi. Gati të njëjtin fat kishte edhe shkolla e fshatit, dhe këtë e tregon mësuesi i saj. Sipas tij shkolla u ndërpre për tre muaj pikërisht për shkak të bombardimeve serbe. Emisioni Boom ka marrë dëshmi edhe në një fshat tjetër I quajtur Dobrunë. Për t’u përmendur është fakti se asnjë prej zyrtarëve të lartë të asaj kohe, nuk ka pranuar të flasë.