Ze Maria: Në qoftë se fëmijët do të ishin fenomen, do të luanin për Barçën dhe Bajernin

Tirana do të luajë nesër ndeshjen e radhës ndaj Apolonisë në “Selman Stërmasi” dhe për këtë trajneri i Tiranës, Ze Maria ka folur para ndeshjes.

Sa mund t’iu vërë në vështirësi Apolonia?

Luajmë nesër ndaj Apolonisë, një skuadër që kemi luajtur 2 herë gjatë këtij sezoni. Kemi barazuar një ndeshje të luajtur në Fier, kemi fituar në takimin e parë këtu në Tiranë. Kemi luajtur keq në takimin ku barazuam. Besoj se duhet ta marrim akoma më seriozisht këtë përballje, sepse e kemi të freskët atë çfarë ka ndodhur. Do të jetë një takim ku do të luajnë disa prej lojtarëve që nuk kanë patur shumë minuta në ndeshjet e mëparshme. Do të luajmë në një fushë aspak të mirë. Do na i bëjë të vështirë ne, pasi kemi një skuadër të mirë taktikisht.

Vështirësia e kundërshtarëve… 

Për sa i përket 3 skuadrave që do duhet të luajmë këtë periudhë, si Apolonia, si Bylisi, por dhe Tomori janë skuadra të forta dhe ne kemi hasur vështirësitë tona. Bylisi është skuadër që nuk kemi mundur ende këtë sezon, ndërsa Apolonia na ka barazuar në ndeshjen e fundit.

Gjë e cila na bën të mendojmë për 3 pikët, të cilët janë të rëndësishme për sa i përket objektivit që kemi. 4 pikë është një diferencë për të menduar gradualisht.

Duhet të fitojmë ndeshjen nesër, më pas do të shkojmë në Ballsh për fitore dhe diferenca do të thellohet. Duhet t’i marrim gjërat një nga një dhe duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë.

Problemi i Ngoo…

Ngoo ka patur një dëmtim dje në stërvitje, gjë që e detyroi të linte stërvitjen. Ka kryes vizitat mjekësore dhe ka rezultuar se ka dëmtuar meniskun por ende nuk e dimë gradën e dëmtimit.

Nëse është një dëmtim jo i rëndë ndoshta do të kthehet shpejt. Gjithsesi të presim përgjigjet.  Më vjen keq që ai u dëmtua në momentin e tij më të mirë. Ne kemi futbollistë të tjerë që janë të përgatitur për të bërë mirë.

Mungesat e tjera ndaj Apolonisë…

Të luash me frikë do të thotë mos luash fare. Këtë gjë nuk e kam në karakter. Unë do të mundohem të bëj më të mirën nesër, edhe pse do të mungojnë, Lika, Sentamu dhe Ngoo.

Sentamu është rikthyer me kombëtaren pas 3 vitesh. Më vjen mirë për këtë. Ka luajtur ndeshje të mira gjatë këtij sezoni. Lika është një lider për skuadrën tonë. Është në fazë rikuperimi.

Ftesa nga Kenia për Musën?

Nuk ka ardhur asnjë ftesë për Musën. Ftesat vijnë zyrtarisht në klub.

Akuzat e trajnerit të Tomorit për favorizime…

Nuk është në karakterin tim të bëj gjykime për gjyqtarët. Të gjithë bëjmë gabime njerëzore. Në momentin që gabimet janë të vullnetshme atëherë historia bëhet problematike.

Për sulmin ndaj trajnerit të 17-vjeçarëve Migen Memelli

Për sa i përket incidentit të ndodhur është absolutisht një ngjarje e pahijshme, të cilën e dënoj. Duke qenë se ai është trajneri i Akademisë së Tiranës, me të cilin duhet të punojmë të gjithë se bashku.

Prindërit duhet të kuptojnë, trajneri është atje për të punuar me fëmijët jo vetëm në pjesën teknike, por edhe në pjesën karakteriale por edhe  mënyrës së të menduarit brenda dhe jashtë fushës.

E dënoj rastin dhe di të them që është diçka që ndodh në të gjithë botën. Prindërit mendojnë se kanë një fenomen në shtëpinë e tyre, por megjithë respektin për klubin e Tiranës.

Në qoftë se fëmija i çdokujt do të ishte një fenomen, nuk do të luante për Tiranën, por do të luante me Barcelonën apo Bayernin. Futbollisti në fjalë është dhe kapiteni i skuadrës.

Ai luan në pjesën më të madhe të ndeshjes. Pse nuk luajti në një ndeshje miqësore, kjo nuk duhet të përbëjë aspak problem për prindërit.

Në Shqipëri kam parë që prindërit qëndrojnë pranë fushës dhe mundohen të ndërhyjnë apo të bëhen kontribues në rritjen e fëmijëve. Im bir në momentin që donte të luante futboll, kur unë e konstatova që nuk kishte të ardhme, e këshillova t’i përkushtohej shkollës.

Ai tani është i aftë në drejtimin e tij. Të gjithë trajnerët duhet të punojnë në kushte të qeta pune në mënyrë që të mundësojnë rritjen e lojtarëve në shërbim të klubit.

Një koment për ndeshjen e djeshme të Kombëtares

Rezultati ishte jo i mirë. Unë kam qenë dje në stadium për të parë ndeshjen, mënyrën si Shqipëria do të luante dhe atë çfarë do të prodhonte takimi.

Pashë që Norvegjia kishte një skuadër që luante mirë futboll përballë një Shqipërie që do t’i duhet kohë për të ushtruar idetë e Panuçit. Një trajneri i ri në eksperiencë. Do t’i duhet kohë për të transmetuar potencialin që ai ka.

Gabimi që bëhet këtu në Shqipëri është se krahasojnë, periudhën e De Biazit apo dhe De Biasin si trajner me Panuçin. Të dy trajnerët kanë mënyrë të ndryshme loje”.