Libri me letrat intime të Dritëro Agollit për Sadijen

Botimi më i ri i Shtëpisë Botuese Dritëro, në duart e lexuesit: “Dashuri në moshën e Krishtit”

Një libër që drithëron me drithërimat e një dashurie të jashtëzakonshme: Vajza shkodrane, e bukur, tekanjoze, plot ëndrra, ngjiz një dashuri të lakmueshme për shumëkënd me shkrimtarin e madh, me pasion të çmendur, me një shpirt si të rrallët e kësaj bote, me një kod ndjenje të deshifrueshëm vetëm nga ata të dy.

 “Dashuri në moshën e Krishtit” përmban letrat intime të Dritëro Agollit shkruar për Sadijen në vitet 1964-1965, menjëherë pas njohjes dhe lidhjes së fortë me njëri-tjetrin. Njëri në Tiranë e tjetri në Shkodër, gjatë atyre dy viteve pritjeje për t’u bashkuar për gjithë jetën, ata shkruan shumë letra dashurie. Letra shkroi dhe Sadija për Dritëro Agollin, dhe ato përfshihen në këtë vëllim. Janë 44 letra të shkruara nga Dritëroi dhe 20 nga Sadija. Kanë qenë pa dyshim më shumë, por, në fashikullin Letërkëmbimi me Sadijen, 1964-1965, që shkrimtari e kishte sistemuar në gjallje të tij si një koleksion i gatshëm për botim, kaq janë ruajtur.

Letërkëmbimi intim i Dritëro Agollit me Sadijen është vetëm një pjesë e epistolarit të tij. Si fashikuj më vete ruhen gjithashtu letrat me njerëz të njohur, letrat me lexuesit dhe letra të ndryshme. Por pjesa më e madhe e epistolarit të Dritëro Agollit ruhet në arkivat familjarë të miqve të tij.

Koleksioni që botohet në këtë libër ka shumë rëndësi jo vetëm për të njohur botën brenda shkrimtarit, por dhe për faktin se tradita e letërkëmbimit intim në Shqipëri është shumë e varfër. Kanë ndikuar shumë faktorë për kufizimet e kësaj forme të shkruari, që nga analfabetizmi deri te kontrolli shtetëror mbi korrespondencën.

Letërkëmbimi i Dritëro Agollit, si çdo letërkëmbim, i është adresuar një lexuesi të vetëm, së dashurës. Por nuk mund të përjashtohet dhe një lexues i projektuar, lexues i së ardhmes, lexues publik. Fakti që vetë shkrimtari i kishte sistemuar në një fashikull, duke i lënë të gatshme për atë që do të donte t’i botonte provon se ky letërkëmbim qysh kur u shkrua ka pasur dy regjistra komunikimi: i pari si letra dashurie dhe i dyti si letërsi pasioni. Stilistikisht është shumë e lehtë të dallohet D. Agolli si letërshkrues, si kumtues, prej D. Agollit si shkrimtar brenda të njëjtit koleksion letrash.