Parkimet me pagesë/ Shtohen tetë rrugë të reja në Tiranë, ja sa do paguani

Pamundësia për të parkuar në rrugët kryesore që janë në proces për t’u kthyer korsi biçikletash, ka bërë që bashkia të rishikojë hartën e zonimit, duke futur rrugë të reja në pjesët me intensitet të lartë lëvizjeje. Kryesisht bëhet fjalë për arterie kryesore në afërsi të Rrugës së Elbasanit, asaj të Kavajës, 21-shit apo rrugës “Bardhyl”.

Në tabelën përbri shkrimit janë segmentet e rrugëve që do të bëhen me pagesë dhe do të administrohen nga “Tirana Parking”.

rruget parkim

Futja e tyre ka bërë që të ndryshojnë edhe kufijtë e zonave, mbi bazën e të cilave bëhet edhe tarifimi për shërbimin.

Kështu, zona A ka kufij vijën kufizuese të Tiranës në pjesën veriperëndimore, bulevardi “Zogu i parë” në anën lindore dhe kordoni hyrës në rrugët “Llazi Miho” e “Konferenca e Pezës” duke vazhduar përgjatë bulevardit “Gjergj Fishta” në jug deri në ndërprerjen me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ndërsa zona 2 ka këto kufij: bulevardi “Zogu i Parë” në perëndim, vijën kufizuese të qytetit në verilindje, vijon me zgjatimin e bulevardit “Zhan D’Ark” deri në vijën kufizuese në jug. Zona e tretë nis në segmentin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në perëndim, bulevardin “Bajram Curri” dhe përgjatë lumit të Lanës, deri në vijën kufizuese në veri dhe vijën kufizuese në pjesën juglindore.

Zona e fundit përfshin kordonin hyrës përgjatë rrugës “Konferenca e Pezës” në veri, vijon me zonën përgjatë segmentit “Dëshmorët e Kombit” në lindje, deri në vijën kufizuese të Tiranës në pjesën jugore të saj.

Tetë rrugët e shtuara rishtazi, ashtu si 71 rrugët e parashikuara në vendimin e parë, do të kenë në dispozicion edhe vende të lira parkimi, si dhe për invalidët.

Në bazë të vendimit, për parkim në zonën A ku ndodhen shumica e institucioneve kryesore në qytet, do të paguhet 100 lekë/orë, ndërsa për zonën B ku intensiteti i lëvizjes është relativisht i lartë, do të paguhet një tarifë shërbimi 40 lekë/orë.