Costacurta tregon kur vjen trajneri i ri i Italisë

Alessandro Costacurta është rikthyer të flasë për trajnerin e ardhshëm të Italisë, teksa ka dhënë edhe një datë kur pritet të bëhet zyrtarizimi. Ish mbrojtësi i Milani, që ka detyrën e gjetjes së një komisari teknik, ka vlerësuar edhe trajnerin e përkohshëm, Di Biagio, pavarësisht se Italia e tij humbi në miqësoren ndaj Argjentinës.

“Gigi është një trajner serioz, i përgatitur dhe kompetent. E ardhmja e tij është e ditur tashmë, ose do të jetë trajner i parë, ose do të jetë pjesë e stafit të kombëtares. Këtë do ta mësoni më 20 Maj, mbajeni mend këtë datë”, tha Costacurta.

Më tej ish mbrojtësi i Milanit dhe Italisë, foli edhe për paraqitjen e të kaltërve në miqësoren e humbur 0-2 ndaj Argjentinës, në Manchester.

“Ishte një ndeshje e vështirë dhe në këto momente ishte thuajse e pamundur të bëhej më mirë. Duhet pak kohë për të kaluar ngërçin psikologjik që la eliminimi nga Botërori. Në këto rrethana, as Guardiola e Mourinho nuk do të mund të bënin më mirë se Di Biagio, ndaj them se jam i kënaqur me paraqitjen”, u shpreh Costacurta.