Shkodër, ja ku i ka strehuar Voltana Ademi të përmbyturit

76 persona janë akomoduar në strukturat e Bashkisë së Shkodrës nga zonat e përmbytura. Konvikti i shkollës “Arben Broci” është tashmë streha e shumë familjeve që janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre të mbuluara nga uji.

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës zj. Voltana Ademi i ka takuar dhe ka bashkëbiseduar me ta, duke u interesuar për kushtet e akomodimit, ushqimit, veshmbathjes, asistencës mjekësore e psikologjike.

Personat e evakuar janë shprehur të kënaqur me kushtet, por i kanë shprehur zj. Ademi shqetësimin për sigurinë e shtëpive, pronave të palujtshme, gjësë së gjallë që kanë lënë atje. Po ashtu, ata kanë folur me shqetësim edhe për rikthimin në shtëpi kur uji të largohet pasi jetesa do të jetë e vështirë.

Herë pas here, sipas nevojave dhe verifikimeve në terren të specialistëve të Bashkisë së Shkodrës, në partneritet me shoqata të ndryshme, këtyre familjeve u ofrohen veshmbathje, ushqime specifike për femijët e vegjël, ilaçe dhe aksesorë shkollorë. Nga dita e sotme, të gjithë fëmijët kanë nisur rregullisht edhe frekuentimin e shkollës, duke u mundësuar transportin e tyre Bashkia e Shkodrës.

©