Shkodër, 76 persona çohen në konvikte: Frikë për banesat dhe gjënë e gjallë

Që në fillim të muajt mars, qarku i Shkodrës është nën ”mbretërinë” e ujit. 76 persona janë akomoduar në strukturat e Bashkisë së Shkodrës nga zonat e përmbytura. Konvikti i shkollës “Arben Broci” është tashmë streha e shumë familjeve që janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre të mbuluara nga uji.

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi i ka takuar dhe ka bashkëbiseduar me ta, duke u interesuar për kushtet e akomodimit, ushqimit, veshmbathjes, asistencës mjekësore e psikologjike.

Personat e evakuar janë shprehur të kënaqur me kushtet, por i kanë shprehur Ademit shqetësimin për sigurinë e shtëpive, pronave të palujtshme, gjësë së gjallë që kanë lënë atje. Po ashtu, ata kanë folur me shqetësim edhe për rikthimin në shtëpi kur uji të largohet pasi jetesa do të jetë e vështirë.