Berati, perla shqiptare

Shqipëria është vendi i qyteteve magjepsëse që çdo njeri duhet t’i përfshijë në itinerarin e tij ballkanik, shkruan faqja e njohur turistike theculturetrip.com.

Berati është njëri nga këto qytete, të cilin duhet ta vizitosh të paktën një herë në jetë, jo vetëm për arkitekturën e tij unike, por edhe për tolerancën e vet fetare. UNESCO e ka përfshirë në listën e qendrave të trashëgimisë botërore.

A jeni gati të zbuloni këtë perlë shqiptare? – pyet ky portal dhe këshillon:

Shihni listën tonë me gjërat më të mira për të bërë dhe për të parë në qytet.

Admironi pamjet madhështore të Beratit nga kalaja.

Kalaja është kështjella e vjetër e bukur e Beratit që ndodhet në majë të kodrës. Është vendi i përkryer për ta admiruar qytetin nga sipër. Qyteti i vogël që u ndërtua brenda mureve të kështjellës është një ndër vendet më magjepsëse që do të shikoni në Shqipëri. Ka akoma disa njerez të cilët banojnë atje. Zona duket magjepsëse me rrënojat e lashta, lulet e fushës dhe oborret e vegjël.

Vizitoni muzeun “Onufri”

Ndodhet në Kishën e Shën Mërisë së Fjetur, në zonën e Kalasë. Muzeu ”Onufri” ka piktura të mahnitshme të shekullit XVI të krijuara nga piktori dhe ikonografi më i madh shqiptar i të gjitha kohërave. Vetë kisha, që daton në vitin 1797, u ndërtua mbi themelet e një kishëze të vogël më të hershme. Kjo strukturë ja vlen të vizitohet për bukurinë e saj nga brenda dhe jashtë.

Bëni fotografi të Kishës së Shën Triadhës

Prapa mureve të kështjellës ndodhet Kisha e Shën Triadhës, një kishë interesante e shekullit XIV, që ia vlen ta shikosh. Sapo të kesh arritur aty, mund të bësh fotografi të mrekullueshme të një prej ndërtesave më të bukura fetare në Berat dhe Shqipëri.

Vizitoni shtëpitë e epokës otomane të Mangalemit

Berati është i ndarë midis dy lagjeve të mëdha, Goricës dhe Mangalemit.

Mangalemi njihet si zona më piktoreske e qytetit, sepse është i mbushur me ndërtesa tipike të epokës osmane të pajisura me dritare të vogla dhe çati ngjyrë kafe.

Një nga eksperiencat më të mira që mund të përfitoni në Shqipëri është shëtitja nëpër rrugët e ngushta të Mangalemit ku ofrohet një arkitekturë mbresëlënëse otomane .

Vizitoni Goricën për të përfituar një pamje natyrore mahnitëse mbi Mangalemin

Gorica është një tjetër zonë e bukur e Beratit e dekoruar me rrugë me kalldrëm, shtëpi me gurë dhe kisha të vogla ortodokse.

Ky vend duhet të bëhet pjesë e itinerarit tuaj, jo vetëm për bukurinë natyrore që ka por edhe për shkak se ofron një pamje të mrekullueshme të qarkut të Mangalemit. Gorica është vendi i përkryer për të realizuar fotografi të fasadave të vjetra otomane.

Vizitoni Muzeun Etnografik

Nëse dëshironi të mësoni diçka më shumë për historinë e lashtë të Beratit, mund të drejtoheni në Muzeun Etnografik, i vendosur në një shtëpi otomane të shekullit të 18-të, (që gjendet në rrugën që çon nga Mangalemi në Kala). I hapur në vitin 1979, muzeu shfaq historinë e qytetit dhe përmban disa objekte origjinale nga kohërat e lashta, duke përfshirë rroba, mjete dhe objekte shtëpiake.

Eksploroni xhamitë e vjetra të Beratit

Tradicionalisht, Mangalemi është një nga lagjet myslimane të Beratit ku ndodhen tre xhami të mrekullueshme që janë të hapura për publikun, Xhamia e Sulltanit, Xhamia e Plumbit dhe Xhamia e Beqarëve.

E para është ndër xhamitë më të vjetra në vend dhe ndodhet pranë Teqesë Halveti , një vend ku mund të falesh , për ata që praktikojnë besimin bektashiane të rendit dervish.

Xhamia e Plumbit është e famshme për kupolën e saj në formën e një sfere, ndërsa Xhamia e Beqarëve është ndërtuar për burrat e pamartuar dhe ka piktura mahnitëse që dekorojnë muret e saj të jashtme.

Drekoni në restorantin Mangalemi

Vendi më i mirë për të ngrënë një drekë tradicionale shqiptare është restoranti në Hotel Mangalemi.

Menuja ofron kuzhinën tipike të Beratit, që është një ndër më të mirat në vend. Ne do të sugjeronim të provonit tavën e kosit (qengj i pjekur në kos) dhe disa djathrave tradicionale shqiptare.

Tarraca e restorantit ofron një pamje të mrekullueshme mbi çatitë e Mangalemit.