PS, Bushati: Marrëveshja me Greqinë duhet të ketë besimin e të dyja palëve

Pas dhënies së plotfuqishmërisë nga ana e Presidentit, deputeti i PS, Ervin Bushati tha se marrëveshja me Greqinë duhet të ketë besimin e të dyja palëve. I ftuar në studion e lajmeve të Ora News, Bushati tha se nëse ajo do të ketë sado pak hije dyshimi nuk do të jetë e zbatueshme.

Bushati: E rëndësishme është që të arrihet një marrëveshje që të mirëpritet nga të dyja palët dhe patjetër që do të duhet të mirëpritet. Sepse çdo marrëveshje që do ketë sado pak hije dyshimi nga palët nuk do të jetë e zbatueshme nesër. Që të ketë besimin e dy palëve duhet të ketë edhe besimin e qytetarëve dhe të popujve për të cilët flitet. Nuk mendoj që është në interesin tonë dhe nuk është në interesin e Greqisë, që të shkojmë me hije dyshimi drejt një marrëveshje që na bën mirë të dyja palëve. Ne nuk jemi nesër me mirë nëse Greqia është me keq, ne nuk jemi nesër me të pasur nëse Greqia është më e varfër. E njëjta gjë vlen edhe për Greqinë. 

Bushati tha se tashme marrëveshja është në rrugën e duhur.

Bushati: Mendoj që është hapi i duhur. Duhej një angazhim serioz i të gjitha palëve edhe i presidentit. Mendoj se jemi në rrugën e duhur, por mendoj se klasa politike po tregon se e ka mundësinë dhe pjekurinë për tu marrë me këtë çështje. Sepse ja kemi borxh qytetarëve dhe mos i mbajmë peng të së  kaluarës dhe ti hapim rrugë të reja drejt një integrimi europian që nuk na pranon dot të shkojmë pranë dyerve të Europës me mentalitet të vjetër dhe me çështje të pazgjidhura.