Mesi: Kam qarë për Argjentinën, në Rusi shansi i fundit për të fituar Kupën e Botës

Ylli i Argjentinës, Lionel Mesi është shprehur se Kupa e Botës në Rusi do të jetë shansi i tij i fundit për të fituar këtë kompeticion. “Pleshti” ka fituar gjithçka me Barcelonën duke mahnitur botën, por karriera e tij me Kombëtaren nuk njeh të njëjtën lavdi. Mesi dhe Argjentina kanë vuajtur dështimin në tre finale të mëdha radhazi. Në Kupën e Botës 2014-të ku u mundën nga Gjermania si dhe në finalet e dy edicioneve të Copa America.

“Kam qarë shumë herë për shkak të ndeshjeve si këto, për finalet e humbura, atë që ato vlejnë dhe për faktin se nuk kam qenë i aftë të realizoj ëndrrën e një Kombi. Tre finalet e humbura ishin diçka e vështirë për tu pranuar”.

Tanimë në moshën 30 vjeçare, ylli i Barcelonës kupton se dhe koha po skadon për të dhe për shokët e tij të skuadrës te Argjentina për të bërë diçka të madhe.

”Ne varemi nga këto rezultate në Botëror për fat të keq, ne e ndiejmë se nëse nuk kurorëzohemi kampionë, ne nuk do të kemi  një tjetër shans.”

Messi ëndërron të ngrejë lart trofeun e Kupës së Botës në Rusi, pasi Kombëtarja e tij humbi në kohën shtesë kundër Gjermanisë në Botërorin e 2014-ës në Brazil.

“Imagjinoj sikur jam në finale, e fitoj dhe ngre Kupën. Është ëndrra që kam pasur gjithmonë dhe sa herë afron një Botëror bëhet edhe më e fortë. Dua t’ju them njerëzve se shpresoj që të jetë një Botëror i madh për ne, se dëshira ime është e njëjtë me të tyren, dhe se ne mund të përjetojmë diçka të ngjashme me 2014, por me ndryshimin që këtë herë të ngremë trofeun”.

Argjentina e nis aventurën në Botërorin e verës së ardhshme në të njëjtin grup me Islandën, Kroacinë dhe Nigerinë.