Deputeti i PS, Hyseni: Priten arrestime të tjera, në Vlorë…

Deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni, i ftuar sot në Report TV në emisionin “5 pyetjet nga Babaramo”, reagoi lidhur me shqetësimet e opozitës se Prokuroria mund të jetë duke ndërmarrë një aksion të njëanshëm dhe politik vetëm ndaj të djathtëve. “Janë plot vepra të tjera penale që kanë nevojë për goditje, ka grupe dhe organizata kriminale që duhet të goditen një orë e më parë. Prokuroria duhet të jetë në lartësinë e detyrës. Ndaj nuk mendoj se ka një sitiuatë të njëanshme. Çdo opozitë mund ta ketë këtë merak, edhe ne mund ta kishim patur nëse do ishim në opozitë, por unë i ftoj të jenë të duruar dhe të jenë në linjën e mosintidimidimit të Prokurorisë sikurse kanë thënë”, tha Hyseni.

Ishit në krye të një Taks-Frorce, që do hetonte pretendimet e palëve se u është grabitur prona në bregdet…

Detyra ishte verifikimi i çdo forme të tjetërsimit të pasurive shtetërore te privati. Ishte punë voluminoze, e përqendruar në qarkun e Vlorës. Nga Vlora deri në kufi me Greqinë. Me idenë se është një zonë që mund të shpëtohet. Ishin dhjetë persona nga task forca, bashkë me kryetarin 11. Është punuar manualisht, janë zbuluar 3 miliardë euro pasuri të vjedhura nga pasuritë shtetërore. Vetëm në qarkun e Vlorës, me çmimet mesatare të tregut, nëse llogariten me 20 euro metri katror. 11 mijë hektarë grabitje i kemi çuar Gjykatës dhe Prokurorisë. Por ka një sasi shumë më të madhe se kaq, ku është marrë me dokumenta false, ose në kundëërshtim me ligjin. Në Himarë janë tjetërsuar rreth 600 hektarë me dokumenta të falsifikuara, kjo do faktohet nga Prokuroria dhe Gjykata.

Si keni arritur në këtë konkluzion?

Kanë qenë dokumenta të montuara, ose të falsifikuara. Nga verifikimi në arkiva është verifikuar që me numrin përkatës rendor të protokollit, nuk kishte lidhje fare me rastin ose me Vlorën. Në një dokument, ku ishin marrë 50 hektarë, numri rendor i arkivit qendror të shtetit, që kishte shërbyer si dokument bazë për agjencinë e pronave, dilte në Pogradec. Masakra është bërë në vitet 2005-2011. Në vitin 2012 nisën regjistrimet. Në rastet e tjera Avokatura e Shtetit, ka nisur proceset civile për kthimin e pronës shtetit. Në shumë raste ka patur prapavijë politike, janë përfshirë nivele të larta. Ata që kanë përfituar kanë qenë të lidhur. Janë përdorur emra të banorëve të zonës në mënyrë fiktive, që nuk kanë përfituar asgjë vetë. Kemi vërtetuar se tjetërsimi i pronave është bërë edhe brenda ditës dhe kjo po hetohet.

Kur ka shkelje a nuk sekuestrohet?

Prokuroria ka mekanizmat e vendosjes së sekuestros preventive. Rasti më flagrant dhe shqetësues është rasti i Ksamilit. Ksamili nga parku antik deri në grykëderdhenjen e lumit të Çukës, me anë të vendimeve dhe dokumentacioneve të falsifikuara. Ka qenë një bashkëpronësi, kullotë e dikurshme, në bashkëpronësi prej shtetit dhe 12 familjeve. Ka një dokument arkivor, që ka qenë kjo bashkëpronësi. Me anë të dokumenteve të falsifikuara, një mori subjektesh kanë manipuluar procesin dhe kanë përfituar sasira kolosale me qindra hektarë. Për 1300 hektarë, ku përfshihej edhe pakru kombëtar i Butrinit madje dhe tre ishujt e Ksamilit ishin pretenduar që të merrej. Procesi do dojë kohën e vetë dhe unë mendoj që asnjë gjyqtar s’mund marrë një vendim ndryshe nga ai për t’u kthyer pronat familjeve që u takojnë. Shteti dhe to familje janë të dëmtuar, 14 individë të tjerë kanë përvetësuar pjesën kryesore, gjiret më të bukura dhe Parkun Kombëtar. Ky proces do vijojë edhe me qarqet e tjera, me Durrësin e deri në Velipojë, do të gjenden mekanizmat për t’i kthyer një pasuri shumë të madhe qytetarëve dhe shtetit, që është grabitur pa të drejtë. /Shqiptarja/