Pranga e arrestime, por shumë pak INVESTIME!

Nga Dit Bushatlliu

Në dy ditë në gjithë vendin janë arrestuar të paktën 60 persona. Ky mund të jetë bilanci më i madh i aksioneve të policisë në këto 27 vite. Në Lezhë, policia goditi një grup prej 23 zyrtarësh duke përfshirë dhe kryebashkiakun Fran Frrokaj, të cilët dyshohet se kanë abuzuar me pronat në bregdet. Ndërsa operacioni i djeshëm në Tiranë, Lezhë, Shkodër, Elbasan dhe Kukës vuri në pranga 39 persona për trafik klandestinësh drejt SHBA dhe vendeve të BE. Aksionet e fundit të drejtuara nga Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliaj, pa diskutuar fajësinë ose jo të të ndaluarve, sidomos në rastin e Lezhës, meritojnë të vlerësohen. Nga një polici që dikur arrestonte hallexhinjtë që shisnin pa leje apo hallexhinjë të cilët nuk paguanin faturën e dritave, sot kemi të paktën arrestime të personave që kanë akuza serioze, për shpërdorim detyre, apo dhe trafiqe ndërkombëtare. Nëse akuzat qëndrojnë apo jo këtë e vendos gjykata, por që në nisje të operacioneve askush nuk mund të thotë më se policia merret vetëm me shitësit e qepëve dhe ata që mbledhin kanaçe. Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit, nga ana profesionale e kanë ngritur stekën dhe kjo është diçka pozitive. Por duhet ta çojnë edhe më lart shenjëstren e arrestimeve.

Në gjithë këtë fushatë ka një çështje që shkon përtej profesionistëve të forcave të rendit dhe nuk lidhet me Policinë apo Ministrinë e Brendshme, por direkt me qeverinë. Policia po bën punën e saj dhe arreston. Ironikisht ky është i vetmi sukses i qeverisë. Në burgje vuajnë dënimin rreth 7 mijë shqiptarë. Ndërkohë, shifrat e përafërta të llogaritura nga opozita flasin në 5 vjet rreth 25 mijë shqiptarë janë arrestuar, ndaluar apo kanë kaluar disa kohë në paraburgim. Edhe nëse këto shifra janë paksa të fryra nga opozita, fakti është se gjatë qeverisjes “Rama 1” dhe këto muaj të qeverisë “Rama 2” i vetmi bilanc i pakundërshtueshëm janë arrestimet.

Një pasqyrë e tillë e situatës nuk do të thotë se duhen toleruar ata që shkelin ligjin, por po rezulton se në këto vite institucioni që ka punuar më shumë është Policia. Ndër vitet 2015-2017 policia punoi mirë edhe në drejtim të kanabisit. Tashmë janë publike faktet për këtë polici kanabisi. Një mazhorancë votohet jo vetëm për vendosjen e rendit publik, por kryesisht për rritjen e mirëqënies ekonomike. Dhe mirëqënia vjen nga punësimi dhe të ardhurat. Të ardhurat vijnë nga investimet. Por investime nuk ka, të paktën aqsa thuhet nga propaganda qeveritare.

Qytetarët dinë përmendësh se kur nisën arrestimet për tatimet, energjinë, hashashin, kur u bë kap iks bandë apo gomone me drogë, por nuk dinë të thonë se cila është kompania e madhe ndërkombëtare që erdhi për të investuar në këto vite në Shqipëri. Cila fabrikë e re u hap për të ulur papunësinë, apo cili investim strategjik u inaugurua këto vite nga qeveria. Edhe vetë ministrat e qeverisë mund të rendisin një sërë taksash që janë ulur, por shumë pak raste përmendin kur politikat e tyre kanë sjellë investime serioze në vend.

Ky krahasim nuk do të thotë se kriminelët, të korruptuarit dhe bandat nuk duhen goditur. Problemi është se qytetarët nuk jetojnë vetëm me arrestime. Serioziteti i shtetit nis nga forca e ligjit, por kur arrestimet kthehen në model qeverisje dhe i vetmi bilanc pozitiv atëherë ka diçka serioze që nuk shkon. Sepse një pjesë e arrestimeve, siç janë ata qindra të ndaluar për energjinë vijnë për shkak të varfërisë dhe mungesës së punës. Ndaj jo gjithmonë prangat mbi qytetarët janë sukses, ironikisht janë dhe dështim i politikave të tjera të qeverisë.

Kryeministri do të bënte mirë të shikonte se ku çalon program qeverisës në drejtim të rritjes ekonomike dhe thithjes së investimeve strategjike. Ndërsa policia këtu është, me sirena ndezur dhe pranga gati. Në fund të fundit policia bën detyrën, por qeveria dhe politika qeverisëse duhet të jetë më pranë njërëzve, pasi edhe policia të ketë sa më pak punë me ata që shkelin ligjin duke mos paguar dritat, ujin apo edhe taksat.

Policia ka plot punë me krimin, sidomos me krimin e organizuar. Aq më tepër kur krimi lidhet me politikën, në këtë rast duhen sirena e arrestime pa ndalesë.