Partitë të fundit, shqiptarët më shumë besim tek feja

Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim në bashkëpunim me UNDP, institucioni më i besuar është feja i ndjekur nga Forcat e Armatosura. Policia e Shtetit edhe pse ka pësuar rënie, mbetet në kuota të kënaqshme. Media, Presidenti dhe partitë politike janë institucionet që kanë humbur besimin e publikut në vitin e fundit.

Institucionet fetare mbeten më të besuarat në sytë e opinionit publik shqiptar me 76% të përgjigjeve pozitive, ndjekur nga Forcat e Armatosura me 63%.

Në studimin e kryer nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim në bashkëpunim me UNDP, qeverisja qëndrore është rritur me 3% në perceptimin e publikut duke marrë 47% të përgjigjeve pozitive.

Zëvendës/kryeministrja, Senida Mesi, u shpreh se besimi do të rritet akoma më shumë në vijim.

Mesi: Më vjen mirë që raporti i 2017 ka një përmirësim të dukshëm në rritjen e besueshmërisë në qeverisje krahasuar me 2016. Do të shkojmë drejt rritjes së përceptimit dhe besueshmërisë së qytetarëve ndaj forcave të policisë.

Parlamenti mbetet në kuota të ulëta me 34%, edhe pse është rritur me 7% nga viti i kaluar.

Ky rezultat i ulët në perceptimin e publikut, sipas nënkryetares së Parlamentit, Vasilika Hysi, i dedikohet seancave të së enjtes.

Hysi: Besimi i publikut tek Kuvendit i Shqipërisë ka një rritje prej 7%, e vlerësoj këtë, prisja edhe më shumë në fakt. Por mesa duket seancat e ditës së enjte janë imazhi i Kuvendit të Shqipërisë në sytë e qytetarit.

Përfaqësuesi i PNUD, Brian Williams, ngriti shqetësimin se qytetarët po fillojnë të humbasin besimin tek reforma në drejtësi.

Williams: Niveli i besimit tek gjyqësori është shumë i ulët dhe në nëntor 2017 kur studimi u krye, qytetarët ishin skeptikë për suksesin ose jo të reformës në drejtësi.

Një pakicë e vogël por në rritje, 16% nuk e dinë nëse reforma në drejtësi do të sjellë një impakt pozitiv për vendin, krahasuar më 11% vitin e kaluar.

Policia e Shtetit vazhdon të jetë në kuota të kënaqshme me 53% edhe pse ka pësuar rënie në besim me 8%.

Prokuroria renditet me një besim të ulët 22% dhe gjykatat me 21%. Rënie në perceptim ka pësuar edhe media me 4%, Presidenti me 3% dhe partitë politike me 2%.

/ora news