Tom Doshi 5 mijë euro për çdo fitore të Vllaznisë deri në fund të sezonit

Vllaznia nuk do të jetë vetëm në këtë fazë të kampionatit. Në skenë është futur edhe biznesmeni dhe politikani i njohur Tom Doshi, i cili po bën realitet një premtim të hershëm të tij, atë të ndihmës financiare.

“Kompania ime farmaceutike do të jetë sponsor gjeneral për Vllazninë dhe do luftojmë që ajo të dalë kampione. Nuk më intereson të bëhem president, sepse nuk vuaj për të tilla gjëra. Më intereson vetëm të hedh lekë e të ndihmoj Vllazninë”, pati deklaruar pak kohë më parë Tom Doshi.

Fitorja e arritur ndaj Flamurtarit në ndeshjen e fundit në Shkodër ka ringjallur entuziazmin në qytet, por tani e tutje ambiciet rriten dhe gjithashtu skuadra ka një motivim shtesë për të tentuar fitore në çdo ndeshje.

Një shpërblim 5000 euro për fitore do të jetë në fuqi në çdo ndeshje deri në fund të kampionatit dhe këtë premio e ka vendosur pikërisht Tom Doshi. Një shifër e konsiderueshme, pasi nuk ka lidhje me premion që mund të japë klubi, ndaj atmosfera në kampin shkodran është shumë e mirë për momentin.