Pse diplomati Wess Mitchell nuk erdhi në Tiranë

Nga Lavdrim Lita
Ka një sërë interpretimesh publike pse A.Wess Mitchell, Asistent Sekretar i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë ka në axhendë vizitën në Prishtinë, Shkup, Beograd dhe Athinë dhe jo në Tiranë.
Disa e lexojnë si mos vëmendje të administratës Trump ndaj Tiranës zyrtare dhe disa të tjerë si bojkotim të qeverisë Rama.
E vërteta është se z. Mitchell nuk do të jetë në Tiranë dhe as në Podgoricë, pra në dy kryeqytete të NATO-s dhe do të jetë në tre vende kufitare të aleancës së atlantikut të Veriut: Kosovë, Maqedoni dhe Serbi, që janë potencialisht të dobëta ndaj sulmeve asimetrike.
Në Prishtinë, Presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj prej muajsh kanë bërë thirrje publike për ndërhyrje të SHBA në proçesin fundor të negociatave me Serbinë, si garanci e marrëveshjes që do ti hapte rrugën Kosovës për në OKB. SHBA iu përgjigjen thirrjes dhe premtuam mbështetje.
Ndërsa vizita në Athinë dhe Qipro e diplomatit amerikane ka të bëjë drejtpërdrejt me emergjencën që ka SHBA për të shuar një konflikt potencial mes Turqisë dhe Greqisë, që janë në gjendje gatishmërie prej ditësh dhe incidenti më banal mund të përshkallëzojë një konflikt që do të destabilizonte detin Egje.
Z. Wess Mitchell është një diplomat amerikan që e njeh mirë Europën dhe rajonin e tonë. Për vite me radhë qëndra e tij studimore CEPA me qendër në Uashington dhe Varshavë ka furnizuar me ekspertizë Departamentin e Shtetit rreth aktorëve kyç që ndikojnë kontinentin.
Në librin e tij të fundit, “Kufij të paqetë, aleatë vulnerabël dhe rritja e rivalëve”, z. Mitchell ka tezën se fuqitë “revizioniste” si Kina, Irani dhe Rusia janë duke hetuar pikat më të ekspozuara dhe të pambrojtura në sistemin e aleancave të Shteteve të Bashkuara dhe se presidenti i SHBA (Presidenti Trump) do të përballet me sfida shumë më të rrezikshme nëse ai nuk merr masa të forta për të rivendosur fuqinë amerikane.
Mitchell shkruan në libër se fuqitë revizioniste do të përshkallëzojnë konfliktet, duke kërkuar që Shtetet e Bashkuara të kenë rreziqe dhe kosto më të mëdha për të mbrojtur rendin ekzistues botëror. Në tezën e z.Mitchell pranohet indirekt se, edhe shtetet e vogla periferike, si përshembull Shqipëria, Kosova, Maqedonia luajnë një rol domethënës në sistemin e aleanca të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sido që të jetë e vërteta e mosardhjes së Mitchell në Tiranë, që ska asgjë për tu alarmuar, një gjë është e sigurtë: vendet ku korrupsioni është i përhapur vertikalisht dhe horizontalisht, krimi organizuar përdor infrastrukturën shtetërore për amplifikuar fuqinë e saj dhe kultivim/trafikimi i lëndëve narkotike zëvendëson ekonominë reale – në teorinë e z.Mitchell klasifikohen si aleatë vulnerabël në sistemin e aleancave të SHBA.
Dhe nuk duhet harruar se korrupsioni në vende Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe Serbia është një problem i sigurisë kombëtare të SHBA dhe se ka faktorë gjeostrategjikë që mundohen të shfrytëzojnë problemet e qeverisjes në këto shtete të korruptuara dhe të implikuar me krimin e organizuar që mund të dëmtojnë interesat e paqes.
Faktor.al

Loading...