Oboti ”po fundoset”, lëvizet vetëm me varka

Nuk ka qetësi në fshatin Obot, aty ku duket se uji ka marrë sundimin. Reshjet e shiut dhe rinisja e shkarkimeve nga Hidrocentrali i Vaut të Dejës, përkeqësuan situatën e përmbytjeve. Si mënyrën e vetme për të lëvizur, banorët kanë varkat. Në ndihmë kanë forcat e ushtrisë, por banorët shprehen kritikë me institucionet e tjera të shtetit.

Situata ndryshon brenda pak orësh, ndaj këtë të martë banorët e gjetën veten sërish të izoluar, pasi rezulton se shkarkimet nga Hidrocentrali i Vaut të Dejës janë dyfishuar ndërsa kanë vijuar dhe reshjet e shiut.

Banorët po e humbin edhe qetësinë, ndërsa kërkojnë më shumë lëvizje nga ushtria, si dhe furnizime me ushqime për gjënë e gjallë, pasi rezervat kanë mbaruar. E moshuara Vebije Brahimi i kërkon kryeministrit Edi Rama që të shohë nga afër situatën.

Ndërsa kreu i njësisë administrative, Arben Ceni, është kritik me të gjitha strukturat e shtetit me përjashtim të ushtrisë, pasi siç thotë ai, asnjë nuk po i përgjigjet situatës që po agravon. ”Është shumë e domosdoshme sepse strukturat duhet të operojnë shumë më shpejt”,-tha Ceni.