Ndihet si Rudina Hajdari apo vajza e Azemit?

55 vjetori i lindjes së heroit të demokracisë Azem Hajdari do të rikthente të dielën në Tropojë (11 mars 2018) vajzën e tij, Rudina Hajdari. E ftuar në intervistën e mbrëmjes në Ora News, Rudina rrëfeu emocionet që përjetoi gjatë vizitës në shtëpinë e babait të saj, duke e cilësuar një rikthim prapa në kohë.

”Kam qenë shpesh herë në Tropojë, por mendova se ishte koha dhe momenti i duhur për tu rikthyer për 55 vjetorin e lindjes së babait tim. Ishte moment tepër i veçantë, gjërat kanë ndryshuar shumë por ai qytet dhe shtëpia e babait tim nuk kanë ndryshuar shumë, është një shtëpi e thjeshtë. U riktheva në atë kohë dhe u mendova të kuptoj sesi ai u rrit në atë shtëpi dhe sesi ai arriti ato që arriti duke përjetuar atë kohë dhe atë fëmijëri që ai pati në atë periudhë.Mendoj se shtëpia dhe ambjenti në cilin ai jetoi ndikoi në mendimet dhe në jetën e tij”,-tha Rudina.

Dhe kur kanë kaluar 7 muaj si deputete në Kuvendin e Shqipërisë, ajo e ka të vështirë të përcaktojë nëse ndihet si Rudina Hajdari apo vajza e Azemit.

”Nuk mund të ndahem nga ai njeri sepse udhëhiqem nga parimet e tij. Unë jam vajza e tij dhe parimet e mia janë të ndikuara nga jeta e tij. Nuk ndikon tek unë vetëm si baba, por edhe si Hero i këtij vendi. Ndoshta modeli i politikanit ka ndryshuar dhe sfidat e atëhershme nuk janë po të njëjtat. Jam munduar të krijoj karakterin tim dhe të fitoj pozicionin tim në jetë jo vetëm si vajza e Azem Hajdarit”,-shtoi më tej deputetja e PD-së.