Lidhjet ruse. PD: Çfarë fsheh Rama për mikun e tij bizesmen dhe një ministër?

Partia Demokratike ka hedhur sot akuza të forta për lidhjet e kryeministrit Edi Rama dhe njerëzve të tij me Rusinë. Një ditë më parë, në intervistën e dhënë për “News 24”, Edi Rama ka pranuar se takoi në zyrën e tij kompani ruse që kanë kërkuar të investojnë në Shqipëri. Kryeministri nuk dha detaje për emrat e kompanive apo biznesmenët që qëndrojnë pas saj.

Por Partia Demokratike pretendon se personat që ka takuar Edi Rama janë përfaqësues të kompanisë ruse Gunvor. Kjo kompani e specializuar në fushën e naftës dhe gazit rezulton në listën e zezë të SHBA. Aksioneri i saj kryesor njihet si një mik i afërt i presidentit rus, Vladimir Putin.

Në një deklaratë të bërë ditën e sotme nga deputetja Orjola Pampuri, PD shkon edhe më tej në akuzat e saj duke përmendur për lidhje me Rusinë, një biznesmen të njohur në Tiranë dhe një ministër të kabinetit “Rama”.

Duke e cilësuar të mirëqenë faktin që Edi Rama ka pasur kontakte me biznesin rus, PD kërkon nga kryeministri përgjigje për disa pyetje që lidhen me njerëz afër qeverisë së tij dhe me ministra konkret.

PD kërkon të dijë nga Edi Rama, nëse kompania Gunvor “ka në Shqipëri një kompani të përbashkët me Besnik Sulajn, mikun e ngushtë të Edi Ramës?”.

Gjithashtu, PD flet për një takim të zhvilluar në Rusi mes Ministrit të Energjisë, Damian Gjiknuri dhe një biznesmeni të rëndësishëm rus që është cilësuar i rrezikshëm nga SHBA dhe BE për pavarësinë energjetike të Europës.

“Çfarë ka biseduar Damian Gjiknuri në Shën Petërsburg me Robert Nowikoskyn e Jurimexit, një personazh të cilësuar nga Senati Amerikan dhe Bashkimi Europian si person që rrezikon pavarësinë energjitike të Evropës?”,- deklaroi sot deputetja e Partisë Demokratike.

Deklarata e plotë e deputetes së PD, Orjola Pampuri:

Edi Rama pranoi drejtpërdrejt në TV mbrëmë, se ai është takuar me kompani ruse në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por ai, qëllimisht e anashkaloi emrin e kompanisë dhe detajet.

Edi Rama duhet të përgjigjet:

  1. Kush i solli rusët e Gunvorit në zyrën e tij në Tiranë?
  2. Çfarë u diskutua dhe u ra dakord me ta?
  3. A ka Gunvor në Shqipëri një kompani të përbashkët me Besnik Sulajn, mikun e ngushtë të Edi Ramës?
  4. Çfarë marrëveshje ka bërë Edi Rama me Erdoganin për ndërtimin e Aeropotit të Vlorës nga një kompani që ndërton centrale bërthamore me kompani shtetërore ruse?

Gjithashtu Edi Rama duhet të përgjigjet:

1.Çfarë ka biseduar Damian Gjiknuri në Shën Petërsburg me Robert Nowikoskyn e Jurimexit, një personazh të cilësuar nga Senati Amerikan dhe Bashkimi Europian si person që rrezikon pavarësinë energjitike të Evropës?

  1. Çfarë i është premtuar Jurimexit?

Të gjitha nyjet e drogës, krimit, pastrimit të parave, ndikimeve të paligjshme përfundojnë tek Edi Rama dhe familja e tij.

Ky realitet nuk mund të fshihet dot nga sulmet që i bëhen Partisë Demokratike, të paguara me paratë e kokainës dhe të krimit. 

As vendosmëria e Partisë Demokratike kundër krimit dhe drogës nuk ka për të ndryshuar.

Spiropali, Bashës: Nëse je trim…

Seria e akuzave për lidhje me rusinë ka vijuar edhe sot nga Partia Socialiste. Deputetja  Elisa Spiropali, i ka bërë thirrje kreut të PD, Lulzim Basha, të japë llogari para drejtësisë për skandalin e lobimeve ruso-amerikane.

Spiropali tha se s’ka më asnjë dyshim që Basha gënjen dhe për këtë duhet të përgjigjet para ligjit, si për gjysmë milionë dollarët e paguara për lobim, ashtu dhe për lobimet ruse.

Më tej, deputetja e PS paralajmëroi se kreu demokrat nuk mund t’i shpëtojë më drejtësisë dhe as nuk mund ta fusë kokën në rërë si struci.
“S’ka asnjë dyshim se ai që gënjen është vetëm Lulzim Basha, të palarat e të cilit i ka nxjerrë në shesh kompania e lobimit, me të cilën Basha ka marrëdhënie. Basha duhet të përgjigjet para ligjit për gjysmë milion dollarët që PD ka paguar për lobim dhe për lobimet ruse. Basha nuk mund ta fusë kokën në rërë si struci dhe as nuk mund t’i shmanget më drejtësisë. Këtë herë nëse është sado pak trim duhet të dalë dhe jo të mbulohet me gjethe fiku”, tha Spiropali.

Deklarata e plotë e Spiropalit:
Lulzim Basha nuk mund t’i shmanget më drejtësisë, duke e përdorur mandatin e deputetit opozitar siç përdori dikur një raport mjekësor për të mos u përballur me drejtësinë: Ka mbi një javë që çdo ditë, jo në mediat komuniste të Amerikës si “New York Times” por në median shqiptare, dalin fakte të reja.

Por Lulzim Basha nuk arrin dot të japë as edhe një përgjigje të saktë për një krim financiar në aktivitetin elektoral e ndërkombëtar të Partisë Demokratike, që po bëhet gjithmonë e më i madh. Lulzim Basha deklaron se mes atij vetë personalisht, apo Partisë Demokratike dhe kompanisë së lobimit Muzin ka vetëm një kontratë dhe vlera e paguar nga PD është vetëm 25 mijë dollarë.

Por kompania e lobimit Muzin, kompania që ka punuar për llogari të Lulzim Bashës, deklaron se përveç 25 mijë dollarëve të Bashës, ajo ka marrë edhe 500 mijë dollarë të tjerë nga Partia Demokratike. Për ta bërë zullumin edhe më të zi, kompania në fjalë deklaron se përveç Partisë Demokratike, ajo është paguar edhe nga një firme ruse në vlerën 150 mijë dollarë për lobimin që ka bërë në Shtetet e Bashkuara për Lulzim Bashën.

Basha deklaron se i ka dhënë kompanisë së lobimit vetëm 25 mijë dollarë, kurse kompania e lobimit deklaron se ka marrë 675 mijë dollarë për punën që ka bërë për Bashën. Këto deklarime, të cilat Basha i quan sajesa, nuk i ka bërë dikush që me Bashën nuk ka asnjë lidhje; nuk i kanë bërë as mediat komuniste amerikane dhe as mediat shqiptare; i ka bërë vetë i punësuari i Lulzim Bashës, Nick Muzin.

Prandaj s’ka asnjë dyshim se ai që gënjen nuk mund të jetë kurrkush tjetër veçse Lulzim Basha, të palarat e të cilit i ka nxjerrë në shesh kompania e lobimit me të cilën Lulzim Basha ka marrëdhënie kontraktuale të bëra jo në kafene, por me deklarata financiare tashmë të depozituara pranë Departamentit Amerikan të Drejtësisë dhe Njësisë së Regjistrimit të Agjentëve të Huaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për këtë arsye uluritëse, Lulzim Basha duhet të përgjigjet përpara ligjit qoftë për gjysmë milionë dollarët ekstra që Partia Demokratike i ka paguar kompanisë së lobimit, qoftë për dhuratën ruse prej 150 mijë dollarësh që kompania e lobimit Muzin ka marrë nga firma Biniatta në këmbim të punës që Muzin ka kryer për Bashën.

Kryetari i opozitës shqiptare nuk mund ta fusë kokën në rërë si struci, as mund të sillet si kamionisti i bananeve që thotë “kamioni është i imi, por s’e di kush ma mbushi me banane” dhe as mund t’i shmanget më drejtësisë, duke e përdorur mandatin e deputetit opozitar siç përdori dikur një raport mjekësor për të mos u përballur me drejtësinë. Këtë herë, nëse është sadopak trim, duhet të dalë e jo të mbulohet me gjethe fiku, por të thotë të vërtetën që tashmë s’ka mbetur gur lumi e dru pylli pa e ditur.