Valbonë, HEC-et filluan në kohën e Saliut të II-të, por u vulosën nga Rama i I-rë

Ndërtimi i hidrocentralit në Valbonë (Tropojë) filloi që në epokën e Saliut të II-të dhe u vulos në vitet e Ramës së I-rë. Pavarësisht se është park kombëtar dhe i mbrojtur me ligj, qeveria Berisha dha lejet për ndërtimin e HEC-eve. Në Valbonë janë planifikuar për t’u ndërtuar 11 HEC-e, ku një është ndërtuar, ndërsa 10 të tjerë pritet që të ndërtohen.
Vendimet për ndërtimin e HEC-ve në Valbonë qeveria Berisha i firmosi në ditët e fundit
në pushtet.

Kur ishte në opozitë Edi Rama deklaronte se do ti anulonte lejet e dhëna nga Berisha. Por sapo mori pushtetin Rama vazhdoi udhën e Berishës së II-të në pushtet. U ankuan banorët dhe shoqatat e mjedisit e të turizmit, por gjykata administrative u dha të drejtë atyre që kanë miliarda lekë. Gjykata Administrative në Tiranë me 3 nentor 2017 ka rrëzuar padinë e banorëve të Margegajt dhe shoqatës Toka, që kërkonte anulimin e lejeve të ndërtimit të HEC-eve në Parkun Kombëtar të Valbonës. Padia i kërkonte gjykatës pavlefshmëri absolute të kontratave të dy hidrocentraleve Dragobia dhe Çerem që janë në proces ndërtimi përmes anulimit të kontratës së koncensionit dhe lejes mjedisore, lejes së ndërtimit dhe lejes së përdorimit të rezervave ujore. Megjithatë gjykata e ka cilësuar si të ligjshëm ndërtimin e HEC-eve dhe ka lejuar vazhdimin e punimeve.

Paraja shpon detin, ka thënë Tuç Maku në filmin “Toka jonë”!

Pra si me Berishën, si me Ramën dhe me gjykatat, Valbona po preket dhe po i cënohet bukuria natyrore shekullore e saj. Del më i fortë interesi i disa kompanive dhe segmentëve shtetrorë se sa ruajta e natyrës dhe Valbonës. Kanë dalë në mbrojtje edhe disa ambasadorë të rëndësishëm, por kryeministri Rama nuk ka dashur t’ia dijë as për Lu apo Vlahutin. Kur janë interesa të mëdha financiare të oligarkisë, kryeministri nuk pyet njeri, por edhe ambasadorët janë mjaftuar me një letër. Nuk dolën ambasadorët asnjëherë publikisht siç dilnin për probleme të tjera politike, kur ua donte interesi. Kur donin kërcënonin ambasadorët, por në rastin në fjalë ku preket një bukuri natyrore e papërsëritshme nuk bërtitën ambasadorët, por hanë një drekë në Valbonë e kur kthehen në Tiranë harrojnë.

Edi Rama ua di mirë edhe ambasadorëve pikat e dobëta. Paraja shpon detin, ka thënë Tuç Maku në filmin “Toka jonë”!

Në letrën e siguruar nga Faxweb.al ambasadorët shprehen se në studimin e kryer në Valbonë ka patur mangësi serioze në vlerësimin e ndikimit që ka në mjedis ndërtimi i HEC-eve. Por vetëm kaq. Nuk e kanë ndjekur më. Ndaj HEC-et po turren në Valbonë duke prishur atë bukuri që për qindra vite e ka bërë natyra.

Letra e ambasadorëve drejtuar Ramës:

“Shqipëria ka marrë hapa pozitivë në vitet e shkuara përfshirë dhe zgjerimin e rëndësishëm e territorit të mbrojtur. Por ky progres është duke u minuar, nga zhvillimi i infrastrukturës në zonat e mbrojtura.

Duke vlerësuar deklaratat tuaj të mëparshme, që keni ndaluar disa nga këto ndërtime, ka disa shqetësime thelbësore që bien ndesh me ndërtimin e hidrocentraleve në zonat e mbrojtura, veçanërisht në Luginën e Valbonës. Një Fondacion Botëror i Ujërave të Zeza financoi studimin (bazuar në Udhëzimin e Komisionit Evropian për Rishikimin e Pasqyrave të Ndikimit në Mjedis), i cili zbuloi se ka mangësi serioze me vlerësimet e ndikimit që kanë në mjedis ndërtimet e Hec-eve.

Sipas këtij studimi nuk janë plotësuar standardet profesionale, ndërsa nuk përfshiheshin në vlerësim të gjitha zonat e ndikimit si: përshkrimi i habitateve, faunës dhe florës ishin të pamjaftueshme; efektet mbi hidrologjinë dhe ujin, pra asnjë mënyrë për të monitoruar ndikimin e vazhdueshëm. Bazuar në këto VNM, është parë e udhës që lejet nuk duhet të lëshoheshin.

Sa i përket dimensionit ligjor, sfidat ligjore për ndërtimin në luginën Valbona janë duke u zhvilluar.

OJQ shqiptare dhe ndërkombëtare kanë argumentuar se kushtet për dhënien e lejet përkatëse nuk janë plotësuar. Për shembull, vlerësimet e ndikimit në mjedis nuk kanë përfshirë të gjithë aktorët, duke përfshirë këtu edhe pushtetin vendor si dhe komunitetin.

Hidrocentralet kanë provuar se janë një burim i vlefshëm i energjisë së rinovueshme për Shqipërinë, por ndërtimi i tyre duhet të ndjekë legjislacionin e duhur (shqiptar dhe europian), si dhe duhet që të respektohet legjislatura europiane për menazhimin e ujërave.

Rasti i Valbonës është një nga rastet kur duhet të shqetësoheni për efektin e kontrollit institucional dhe qeverisë mbi projektet ekonomike private që kanë një impakt të rëndësishëm në mjedis. Ne gjithashtu mendojmë se potenciali për zhvillimin e burimeve alternative të energjisë së rinovueshme në Shqipëri, mund të përdoret më mirë, duke zvogëluar kështu shfrytëzimin e lumenjve në dëm të mjedisit, duke mbrojtur natyrën.

Ne ju inkurajojmë që të siguroheni se ndërtimet e hidrocentraleve nuk përputhen vetëm me atë që është e përshkruar në legjislacionin shqiptar, por edhe me normat dhe standardet e BE.

Prandaj ne e rekomandojmë që ju të pezulloni të gjitha ndërtimet përkatëse në pritje të vlerësimit të duhur dhe shqyrtimit ligjor të procesit përmes sistemit administrativ dhe gjyqësor shqiptar”, thuhet në letrën e drejtuar kryeministrit Rama.

*Letra mban datën 3 maj 2017, kohë kur leja për ndërtimet në Valbonë ishte dhënë dhe bëhet për herë të parë publike sot. Pavarësisht kërkesës së ambasadorëve, ndërtimi në Valbonë ka vijuar. Ndërkohë që çështja është rikthyer në vëmendje pas konflikteve të fundit në zonë.

Foto nga Lugina e Valbonës

Loading...