Mos u ngutni, mund të ketë të drejtë Kryeministri për Teatrin e ri Kombëtar

Ditën e sotme, kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim prezantues për projektin e Teatrit të Ri Kombëtar dhe duket se gjasat janë për t’u qetësuar të gjithë shpirtrat e trazuar gjatë kësaj kohe lidhur me ndërtimin, ose jo të TK. Kjo, pasi kryeministri i vendit ka sqaruar sipas stilit të tij avantazhet dhe lehtësirat që do të krijojë rindërtimi me, ose pa kullë i Teatrit të ri.

“Nuk është një teatër me kullë, por nuk është asnjë mëkat edhe po të ishte një teatër nën kullë. Teatrot e Broduejt janë të gjithë nën kulla. Kur shkojnë njerëzit në teatër, nuk shohin kullat, por shohin teatrin. Megjithatë, është një debat që ju mund ta vazhdoni me njëri-tjetrin. Besoj se është shumë e qartë se këtu nuk është historia se çfarë ka sipër, apo anash, pavarësisht se sipër do të ketë një tjetër hapësirë teatrale në qiell të hapur dhe anash do të ketë hapësirat e veta për artistët”, tha Rama.

Në prezatimin e detajuar të këtij projekti, kryeministri nuk la pa thumbuar me kontekste ata artistë, të shumtë në numër e të mëdhenj në emër, që kanë protestuar prej javësh në debatin për prishjen, apo jo të Teatrit e për ligjin e ri të qeverisë për artin.

“Jemi në kushtet, ku kemi një teatër që do të jetë trefishi i këtij që është sot dhe që do të ketë një sistem të tërë infrastrukture përreth, që sot nuk ekziston. Padyshim do të ketë dhe hapësirën e yjeve, të shuar e të pashuar të historisë së Teatrit Kombëtar. Kush ka kaluar në atë histori dhe ka lënë gjurmën e pashlyeshme të yllit të vet, do të jetojë aty në hapësirën e përgatitur enkas! Ashtu sikundër, kush del e bën protesta sot, do duhet të mendojë sesi të lërë yllin e tij aty, sepse nuk ka se çfarë bën më, sepse godina do të shembet për t’i lënë vendin një godine të re”, tha Rama.

Si një nga artistët e pranishëm në prezantimin e projektit të Teatrit të Ri Kombëtar, aktori i madh, Robert Ndrenika ironizoi Edi Ramën, pasi nuk i dha fjalën në aktivitet, ndërsa me të drejtë kërkoi më shumë transparencë për mënyrën sesi do të ndërtohet teatri i ri.

“Kryeministri nuk na donte se kështu na kishin thënë, por rezulton se na dashka”, tha Ndrenika duke iu referuar debateve për shembjen e godinës aktuale të Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e teatrit të ri. Përsa i përket projektit të prezantuar, Mjeshtri i Madh, Robert Ndrenika tha se është kundër metodës së ndërtimit të tij përmes Partneritetit Publik – Privat, ose thënë ndryshe, koncensionit. Ai shtoi se do donte ta njihte nga afër maketin për të parë si do të jetë skena.

“Më shqetëson Partneriteti Publik- Privat. Kjo është dyndje e xhunglës urbane. Por unë dua ta shoh në maket, për të parë nga afër si është skena dhe xhepat e saj. Ajo që na intereson ne artistëve”, deklaroi aktori i madh, një nga zërat më të fuqishëm kundër prishjes së teatrit aktual.

Para se arkitekti i Teatrit të ri, Bjorke Ingles të merrte fjalën, Ndrenika kërkoi të fliste, por kryeministri i vendit, siç edhe e ka për zakon ndërprerjen e patakt të fjalës, iu përgjigj: “Jo jo, prit shiko projektin njëherë”. Më pas aktori është ulur, duke thënë se do ta shohë projektin.

Debati ka vazhduar, duke diskutuar rreth projektit të paraqitur, por vlen të theksohet fakti që kryeministri Edi Rama mund të ketë të drejtë për Teatrin e ri Kombëtar, por s’ka aspak të drejtë t’u ndërpresë fjalën të tjerëve. Askujt. Për më tepër kur bëhet fjalë për personalitete të mëdha si, Robert Ndrenika dhe artistë të kalibrit të tij.

Projekti

Teatri i ri Kombëtar do të ketë një hapësirë 750 metra katrorë auditor me mbi 600 vende, me ballkon. Gjithashtu do të ketë një skenë teatri prej 630 metra katror dhe dy salla Black Box 200 metra katror secila, të cilat i janë kushtuar shfaqjeve.

Për artistët do të ketë një hapësirë 200 metra katrorë që do përdoret si sallë ndërrimi, një sallë provash prej 200 metrash katror, tualete dhe dushe si dhe një dhomë të gjelbër. Në shërbim të shfaqjeve të ndryshme artistike do ketë një dhomë instrumentesh muzikore, një depo materialesh skenike, një depo dekori, sallë teknikësh, etj.. Gjithashtu do të ketë sallë kursesh dhe të gjitha facilitetet për publikun.

Hyrja kryesore në teatër është e mundur përmes shëtitores “Murat Toptani”, ndërsa hapësira e sheshit publik në nivelin përdhes, siguron hyrje të mbuluar në teatër, së bashku me hapësirën publike për mbledhje, ose argëtim. Godina është organizuar me dy pjesë, ku njëra i është dedikuar tërësisht administratës dhe aktorëve dhe pjesa tjetër publikut. Të dyja pjesët ndërveprojnë mes tyre nëpërmjet sallës së madhe të teatrit si dhe dy sallave “Black Box”, që janë kushtuar shfaqjeve.

Një hyrje e madhe ndahet midis tre sallave të performancës dhe nëse është e nevojshme, hapësirat mund të ndahen për shfaqje të shumta që ndodhin në të njëjtën kohë. Qarkullimi është gjithmonë i ndarë nga publiku. Punonjësit kanë akses nëpërmjet ashensorëve të tyre primarë dhe të mallrave, si edhe korridoreve private. Personeli administrativ futet në godinë nëpërmjet parkingut ose nën harkun. Pasi të futen brenda, ata kanë bërthamat e tyre të qarkullimit. Zyrat administrative ndodhen në katet e sipërme pjesën veriore me pamje nga qyteti. Furnizimi dhe shërbimet mbështetëse ndodhin nëpërmjet ashensorit të mallrave dhe kanë rrugë të dedikuara për punëtorët, si dhe ‘Black Box’ në verilindje.

Aktorët qëndrojnë në një ndërtesë të ngjashme me atë të personelit administrativ. Brenda, ata kanë dhoma zhveshjeje dhe zona të tjera mbështetëse pranë auditorit. Rrugët e dedikuara sigurojnë që ata kurrë nuk kalojnë në zonat ku kalon publiku, kur udhëtojnë ndërmjet reparteve të ndryshme dhe hapësirave të teatrit.

Publiku hyn në ndërtesë nga niveli i tokës, ose nga fasada në anën jugore, ose nën hark. Biletaritë janë të rrethuara nga dy shkallët e mëdha, që të pranishmit t’i tërheqin në pjesën e hollit. Në atë nivel, vizitorët mund të vazhdojnë deri në shkallët në ulëset e ballkonit dhe në çati, ose të marrin shkallët alternative deri në ambientet e shërbimit.

Hapësira në katin përdhes krijon një vend për argëtim joformal, ose për performancë të planifikuar publike. Hapësira në pjesën ballore të Shtëpisë i shërben drejtpërdrejtë hapësirës kryesore të auditorit, me akses në të dy sallat Black Box. Çatia gjithashtu ofron hapësira publike për shfaqje informale, ose specifike dhe me pamje mbi Parkun e Besimit.