Çipi: Rama fyeu, peticion kundër koncesionit në truallin e Teatrit

Pas aktivitetit në kryeministri dhe njohjes me projektin e ri për Teatrin Kombëtar, regjisori Kastriot Çipi, thotë se Teatrin do ta shpëtojnë vetëm qytetarët. Në intervistën e mbrëmjes në ”Ora News”, anëtar i Kryesisë së Sindikatës së Skenës dhe Ekranit, njoftoi dhe nisjen e një peticioni online nga shoqëria civile, ku kërkohet ndalimi i koncesionit mbi truallin e teatrit kombëtar.

”Ky debat ka filluar para 20 vitesh, edhe në rastet e tjera që teatri ka qenë i kërcënuar e kanë shpëtuar qytetarët. Edhe sot e them që Teatrin do ta shpëtojnë qytetarët, duhet të ketë një organizim. Ajo që më gëzon është se pashë një mesazh të fortë të Ylli Manjanit që teatri nuk është i artistëve por qytetarëve. Mora një mesazh tjetër, që shoqëria civile sapo ka ndërmarrë nismën për një peticion online ku kërkohet ndalimi i koncesionit mbi truallin e teatrit kombëtar. Shoqëria civile po merr flamurin e kësaj lufte nuk po ua lë artistëve dhe artistët duhet të gëzohen, nuk duhet të shqetësohen se po humbin protagonizmin”,-tha Çipi.

Për Çipin, projekti i ri do të qëndronte në çdo cep të Tiranës përveçse në truallin mitik të Teatrit.

”Jam i i qartë, është ajo që kemi thënë që në fillim. Këtij arkitekti i është kërkuar të bëjë një ndërtesë që nuk ka lidhje me të vjetrën. I është kërkuar të bëjë një gjë të re që mund të ishte e bukur në çdo pjesë të Tiranës, po jo aty ku është trualli mitik i Teatrit Kombëtar dhe është vendlindja e të gjithë institucioneve të artit skenik shqiptar, përfshirë dhe Lidhjen e Shkrimtarëve”.

Regjisori tha se Rama fye të ftuarit dhe i përdori si dekor në funksion të tij.

”Nuk pata asnjë befasi, e dija se njerëzit e thirrur atje do përdoreshin si dekor, nuk do lejoheshin të flisnin. Më vjen shumë keq që kolegu Robert Ndrenika dhe cilido që ka dashur fjalën qoftë dhe për 30 sekonda, për respekt që e ke thirrur. Njerëzit që të respektojnë dhe dëgjojnë një orë mund ti dëgjosh 30 sekonda. Batuta e kryeministrit “ika se kam punë të tjera”, ishte fyese për të gjithë ata që ishin në auditor”,shtoi më tej në studion e ”Ora News”.