Bushati thirrje Prokurorisë: Hidhni dritë mbi “sallatën ruse” të gatuar nga Lulzim Basha

Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati i ka bërë thirrje kreut të PD Lulzim Basha që të japë sqarime për gjysmë milion dollarët e deklaruara nga rusi Nick Muzin për llogari të PD. Përmes një deklarate për median Bushati thotë se kreu i PD duhet të tregojë kush janë këta “100 shqiptarë” në SHBA që paskan 500 mijë dollarë meqë siç thotë vetë Lulëzim Basha, janë dy gjëra të ndryshme.

“Lulëzim Basha duhet të tregojë per gjysëm milion dollarët e deklaruara nga rusi Nick Muzin për llogari të PD; 500 mijë dollarët i ka paguar kompania ruse Biniatta siç del në kontratat e kësaj të fundit?

Nga ana tjetër, pavarësisht nëse kompania guackë e zotëruar nga biznesmenë të dyshimtë rusë kanë paguar 650 mijë dollarë, apo vetëm 150 mijë, Lulëzim Basha duhet të tregojë lidhjen e tij me këtë kompani.

Dhe të tregojë kush janë këta “100 shqiptarë” në SHBA që paskan 500 mijë dollarë meqë siç thotë vetë Lulëzim Basha, janë dy gjëra të ndryshme?!

Përgjigjet duhet t’i japë përpara institucioneve të drejtësisë dhe është detyra e Prokurorisë të hedhë dritë një orë e më parë mbi të tërë këtë “sallatë ruse” të gatuar nga Lulëzim Basha, që ka vënë në lëvizje median e njohur investigative amerikane, por që ka shqetësuar seriozisht Shqipërinë dhe partnerët e saj ndërkombëtarë” –  tha Bushati.