Pakult zbulon prapaskenën: Gjici erdhi në pushimin e ndeshjes dhe …

Kukësi mori një fitore shumë të rëndësishme ndaj Teutës, duke u ngjitur në vendin e dytë në renditje. Trajneri Pakult komentoi fitoren e skuadrës së tij, teksa ka zbuluar dhe disa detaje shumë interesante që kanë ndodhur në pushimin e ndeshjes.

“Mendoj se të dy ekipet luftonin për diçka sot dhe nuk e filluam mirë ndeshjen, pasi na mungoi agresiviteti dhe cilësia në pasime. U munduam të reagojmë pas golit të pësuar dhe për fat të mirë barazuam në sekondat e fundit të pjesës së parë. Gjici erdhi në pushim, në dhomat e zhveshjes dhe motivoi skuadrën me fjalë shumë të mira, ndaj edhe në 45-minutëshin e dytë zhvilluam një ndeshje mjaft të mirë, që na solli edhe fitoren. Dopieta e Gurit është shumë e rëndësishme, veçanërisht goli i parë, pasi bëri një lëvizje mjaft të bukur dhe dërgoi topin në rrjetë, ndërsa edhe i dyti ishte një klas më vete. Edhe për Shkodrën jam shumë i lumtur që po rritet nga java në javë dhe po na ndihmon edhe me golat që shënon.

Roli i Donjet Shkodrës? Kur kam ardhur këtu, kam parë videot e tij dhe e di që roli natyral i tij, është ai pas sulmuesit kryesor. Duke qenë se kishim Bakajn, e tërhoqa disi më mbrapa, pasi e dija që mund të përshtatej edhe aty. Tani që do të jetë në rolin e preferuar, besoj së do të japë më të mirën”, ka thënë Pakult pas ndeshjes.