Kukësi mund Teutën me dyshen Guri-Shkodra, Laçi “poker” ndaj Flamurtarit

Kategoria Superiore ka zhvilluar tre ndeshjet e para për javën e  24-t. Kukësi ka fituar me përmbysje 3-2 ndaj Teutës në “Zeqir Ymeri”. Ndeshja nis në “malore” për kampionët e Shqipërisë që gjenden në disavantazh që në minutën e 16-të, kur Bilali shfrytëzon më së miri një krosim në zonë të Çyrbjas. Reagimi i vendasve vjen vetëm në fundin e pjesës së parë, teksa Donjet Shkodra dha një pasim të artë në zonë për Gurin, i cili kërceu meë lart se të gjithë duke barazuar rezultatin. Në fillimin e pjesë së dytë, arbitri dha dy kartonë të kuq, për Alhasan dhe Idrizi, pas një konflikti mes lojtarëve për një faull kundër Teutës. Në minutën e 63-të, Donjet Shkodra dhuron spektakël duke shënuar  nga një distancë e largët, një perlë që duhet riparë disa herë. 3 minuta më pas do të ishte sërish radha e Gurit për të shënuar golin e dytë personal, dhe të 10-in për këtë sezon. Çyrbja shkurtoi diferencat në minutën e 80-të, por nuk mjaftoi për të dalë me pikë.

Fitore të rëndësishme ka marrë edhe Laçi në shtëpi ndaj Flamurtarit 4-2, teksa për kurbinasit ka shkëlqyer Rexhinaldo me tre gola të shënuar. Brazilian shënoi dy herë brenda 10 minutash në pjesën e parë, ndërkohë që në minutën e 72-të ai realizoi dhe të tretin personal. Siljanovski në minutën e 74-t dhe Musta 8 minuta nga fundi ndezën shpresat për vlonjatet, por do të ishte Uzuni që do të vuloste rezultatin.

Kamza dhe Vllaznia ndërkohë nuk kanë shkuar më shumë se një barazim pa gola. Një rezultat që i shkon më shumë për shtat ekipit të Ramadan Ndreut. /Koha Jonë/