Qeveria harron Zharrzën/ Nuk zbaton vendimet për dëmshpërblimet nga ‘tërmetet’

Një vit më parë, në muajt shkurt e mars 2017, një grup banorësh të fshatit Zharrëz u nisën në këmbë drejt Tiranës, duke kërkuar dëmshpërblim për banesat e dëmtuara nga lëkundjet e tokës.

Qeveria në atë kohë u premtoi se do t’u jepte 100 për qind të vlerës së banesës. Madje, për banesat e dëmtuara plotësisht, dëmet do të evidentoheshin brenda 30 ditëve. Për banesat e tjera kishte një kohë prej 6 muajsh. Këto “premtime” u përkthyen edhe në një VKM të datës 1 mars 2017, e paratë do të jepeshin menjëherë.

Por, çfarë ka ndodhur një vit më pas? “Fiks Fare” ka ndjekur hap pas hapi të gjithë procedurën, ku rezulton se për banorët e zonës ka pasur vetëm premtime, ndërsa ata janë lënë në mëshirë të fatit.

Plot 6 muaj më parë…

Gjashtë muaj më parë, “Fiks Fare” shkoi në Zharrëz, ku pyeti banorët nëse kishin përfituar apo jo dëmshpërblimet. Një nga protestuesit e shkurtit, Zyber Muskaj nuk kishte përfituar asnjë dëmshpërblim.

Ai tha se, “të ikësh në këmbë është vetëvrasje, më mirë të vrasësh veten. Atje s’na lanë as të flinim në plastmas, kur ata hanin e pinin atje, ne s’na jepte njeri për të ngrënë”.

Zyberi thotë se do t’i gënjejnë sërish me ndonjë 5.000 apo 10 mijë lekësh. “Vetëm nga Zoti shpresojmë që mos të bjerë ndonjë tërmet. Atëherë do të na vinë të na heqin, të bëjnë arkivol”, thotë ai.

Ndërkohë, Barije Hajdini thotë se shteti i kishte dhënë vetëm një çadër, edhe pse në shtator të 2017-s temperatura ishte 40 gradë Celsius. Nga ana tjetër, Nadire Hoxhaj thotë se shtëpia iu prish më 18 dhjetor 2016.

“Është shpallur e pabanueshme, nuk dimë të jetojmë këtu, apo jo. Kemi hedhur shumë lekë te këto shtëpi, se dimë nëse do t’i marrim”, thotë ajo.

Kreu i shoqatës “Zharrza”, Qani Rredhi thotë se ka qenë pjesëmarrës në 3 greva.

“19 ditë kemi qenë në grevë, fituam atë VKM-në e famshme, por deri tani asnjë gjë. Kjo VKM parashikon të vlerësohej dëmi. Ne s’na i bëjnë transparante. Banorët, edhe sot e kësaj dite jetojnë ende në këto shtëpi. Priten viktima nga tërmetet”, thotë ai.

Në atë kohë, “Fiksi” shkoi edhe në Bashkinë e Patosit, ku juristi Ilir Kripa tha se bashkia ka qenë thjesht pjesë e grupit të vlerësimeve.

Sot në mëshirë të fatit

Në muajin nëntor 2017, qeveria nxori një tjetër VKM me numër 670, ku u transferonte një fond bashkive të Patosit dhe Roskovecit. Në VKM thuhet se kompania “Bankers” duhet të japë një pjesë të dëmshpërblimit.

Në VKM thuhet se, Bashkisë së Patosit, në buxhetin e vitit 2017, do t’i shtohej fondi prej 172.868.638 lekë për dëmshpërblimin e 71 familjeve. Në pikën 4 të VKM-së thuhet se fondi i përgjithshëm prej 175.165.885 lekësh duhej të çelej për Bashkitë e Patosit dhe Roskovecit dhe të përballohej; a) Nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, në masën 73.992.071 lekë; b) Nga “Bankers Petroleum Albania”, në masën 101.173.814 lekë.

“Fiksi” shkoi në Zharrëz edhe në datën 1 mars 2018, plot 1 vit pas nxjerrjes së VKM-së së parë, për të parë nëse banorët e Zharrzës kanë marrë apo jo dëmshpërblimet. Banorët thanë se i kanë gënjyer sërish.

“Jemi serish në mëshirë të fatit, kemi frikë. Kanë ardhur e kanë vlerësuar, por s’kemi marrë asnjë gjë. Janë çarë muret”, thotë sërish Nadire Hoxha.

Ndërkohë, situata ekonomike në familjen Grëmbi është tejet e vështirë, teksa e zonja e shtëpisë është e sëmurë dhe rri shtrirë në krevat. Familja kërkon ndihmë, ose të paktën shteti të kujdeset për shtëpinë, t’i rregullojnë banesën.

“Fiksi” intervistoi sërish Qani Rredhin, kryetarin e Shoqatës “Zharrza”. Ai thotë se nga protesta kanë fituar vetëm dy VKM-të.

Kush e ka fajin për lëkundjet?

“Fiks Fare” mësoi se vonesat në dëmshpërblimin e banorëve të Zharrzës kanë ardhur pasi qeveria, në dy VKM-të e saj thotë se “faj” ka edhe kompania “Bankers Petroleum”. Por “Bankers”-i nuk pranon se është shkaktar i këtyre lëkundjeve, e për pasojë banorët janë në mëshirë të fatit.

Kryetarja e Bashkisë së Patosit, Rajmonda Balilaj tha se “është e vërtetë që procesi është në tejkalim afati, por është zgjatur për shkak se ka pasur ankimime nga banorët”.

Ajo thotë se bashkia ka një listë, po nuk varet prej tyre dhënia e lekëve.

“Ne kemi shpërndarë një fond para dhjetorit të 2017-s, për ata që iu ishte prishur shtëpia. Sa të na vinë lekët e tjera do t’i shpërndajmë. Me sa di, kompania ‘Bankers’ nuk ka pranuar fajin, ndërsa kryesuesi i grupeve të vlerësimit të dëmeve ishte Enti Kombëtar i Banesave”, thotë ajo.

Fiksi shkoi edhe te kompania “Bankers”.

“Ne besojmë se, asnjë nga operacionet e ‘Bankers’ nuk shkakton lëkundje apo tërmet, prej të cilit janë dëmtuar shtëpitë e komuniteteve rreth fushës së naftës Patos-Marinzë. Në dijeninë tonë, eksperti i pavarur, i cili do të studiojë dhe hetojë shkaqet, nuk ka lëshuar dhe as ka përfunduar ndonjë raport, i cili bën operacionet e ‘Bankers’-it shkaktare të tërmeteve të tilla. Ne do të punojmë shumë ngushtë me ekspertin dhe me Ministrinë e Energjisë, për të sqaruar sa më shpejt të jetë e mundur shkakun e këtyre lëkundjeve”, thotë “Bankers”.

Gazetarët iu drejtuan edhe Entit të Banesave, nga ku thanë se ka përfunduar vlerësimi në terren dhe janë hartuar listat përfundimtare me vlerat përkatëse të banesave të dëmtuara, për Bashkitë Patos dhe Roskovec. Mësohet se janë 505 shtëpi të dëmtuara në Roskovec dhe 531 shtëpi në Patos.

Për 1.036 banesa të vlerësuara nga grupet e punës, pasi u plotësua dokumentacioni ligjor nga bashkitë respektive, vazhdimisht janë dërguar listat e pjesshme në Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile. Për sa i përket pyetjes se kur do të jepet dëmshpërblimi, nuk mund të prononcohemi, pasi nuk është në juridiksionin e Entit Kombëtar të Banesave”, thonë zyrtarë të Entit të Banesave.

Pra, megjithëse ka kaluar një vit nga premtimet, banorët e Zharrzës ende nuk kanë marrë dëmshpërblimet.