Pse i hoqën mandatin? Kokëdhima: “Dinosaurët” komplotuan…

Ish-deputeti i PS, aktualisht kryetari i Zgjidhja, Koço Kokëdhima sqaroi arsyen pse iu hoq mandati i deputetit. Në emisionin e lajmeve në ”Ora News” me gazetaren Ilva Tare, Kokëdhima tha se gjatë kohës që ishte deputet nuk përfitoi asnjë tender nga politika. Ai tha se Gjykata Kushtetuese u komplotua për ti hequr mandatin.

Pjesë nga deklarata

Mandati juaj është ndërprerë pikërisht sepse në kohën kur ju jeni zgjedhur deputetë, sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese kishit përfituar disa tendera…

Kjo nuk është e vërtetë, kjo është gënjeshtër. Unë nuk kam marrë asnjë kontratë në kohën që kam qenë deputet. Mandati im është ndërprerë sepse këta komplotuan me Gjykatën Kushtetuese. Argumenti formal është ky: Ka bërë një kompani e imja kontrata kur unë nuk nuk kam qenë deputet, por kontratat kanë qenë 1 vjeçare.

Ju thatë që nuk kam përfituar nga politika?

Zero. Kompania ime ka lidhur kontrata nga janari 2013 deri në korrik 2013 20 kontrata me vlerë 2 mln lekë, me afat 1 vjecar, kur unë nuk isha në politikë. Afati 1-vjecar është me këste mujore. Ata kanë thënë që është papajtueshmëri që kontrata të çohet deri në fund. Kjo që kanë bërë ata është diçka e paligjshme, është një komplot i këtyre dinosaurve të politikës për të më nxjerrë mua nga politika. Por mua nuk më nxjerrin dot jashtë politikës, as ZGJIDHJE-n nuk e nxjerrin dot.